Vizita e kryeministrit serb Gjuro Macut në Ohër dhe takimi me kryeministrin Hristijan Mickoski kanë nxitur reagime nga LSDM. Opozita pretendon se Macut ka mbërritur pa paralajmërim dhe pa protokoll zyrtar, duke e lidhur këtë me rritjen e ndikimit të Serbisë në Maqedoninë e Veriut.
“Në cilin vend sovran mund të vijë kryeministri i një vendi fqinj, pa paralajmërim, pa protokoll, sikur të ishte në shtëpinë e tij?”, reagoi LSDM, duke pretenduar se pas kësaj qëndron projekti i ashtuquajtur “bota serbe”.
Takimi u bë publik përmes një postimi të Mickoskit, i cili tha se me homologun serb diskutoi për sfidat rajonale dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh. “Konfirmuam përcaktimin tonë të përbashkët për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore, të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të fqinjësisë së mirë”, deklaroi Mickoski.
Polemikat janë përqendruar te mënyra e organizimit dhe njoftimit të takimit, si dhe te ndikimi i mundshëm i Serbisë në zhvillimet politike në vend.