Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për mënyrën se si, sipas saj, po trajtohet çështja e pritjeve të gjata të mërgimtarëve në kufijtë e vendeve përreth Kosovës. Në një reagim të publikuar në Facebook, Çitaku tha se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të lehtësuar situatën, duke përmendur koordinimin me autoritetet e Zagrebit dhe Podgoricës. “Në vend që të merrte menjëherë kontakt me Zagrebin dhe Podgoricën, të koordinonte veprimet me autoritetet e atjeshme dhe të dërgonte Ministrin e Jashtëm për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, Albin Kurti ka zgjedhur t’u tregojë mërgimtarëve tanë përralla me gjermanë e rusë”, ka shkruar Çitaku. Ajo ka vijuar kritikën duke thënë se mërgata nuk ka nevojë, sipas saj, për “ligjërata ideologjike”, por për veprim institucional. “Mërgata nuk ka nevojë për ligjërata ideologjike. Ka nevojë për shtet që vepron”, ka deklaruar Çitaku, duke e akuzuar Kurtin se nuk po i trajton shqetësimet e qytetarëve me seriozitetin e duhur. Në reagimin e saj, Çitaku ka përdorur gjithashtu një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, duke thënë se ai “ose po tallet keq me qytetarët e vet, ose vërtet jeton në një univers paralel”.