Nga Vendi
3 August 2026
Azizi: Mbi 1.100 projekte kapitale për komunat, po përgatitet thirrje e re

Zhvillimi i komunave mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, e cila përmes dy thirrjeve të para publike ka financuar gjithsej 1.116 projekte kapitale në të gjitha komunat e vendit. Sipas zëdhënëses së Qeverisë, Venera Latifi Azizi, ky është investimi më i madh i realizuar deri më tani në kuadër të zhvillimit lokal. Në një prononcim për TVM2, Latifi Azizi tha se në thirrjen e parë janë financuar 288 projekte, prej të cilave 229 kanë përfunduar, 57 janë në realizim, 9 ndodhen në fazën përfundimtare, ndërsa vetëm 2 ende nuk kanë nisur zbatimin. Ajo shtoi se në thirrjen e dytë janë mbështetur 828 projekte, për 724 prej tyre janë nënshkruar kontratat, ndërsa 361 kanë hyrë në fazën e realizimit. Sipas saj, 296 projekte kanë nisur punimet në terren, 217 janë përfunduar dhe 24 ndodhen në fazën përmbyllëse. Latifi Azizi theksoi se pjesa më e madhe e projekteve përfshin ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve, shkollave, çerdheve, sallave sportive, sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, si edhe objekteve të tjera publike që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. “Ne besojmë se zhvillimi i shtetit fillon nga zhvillimi i komunave dhe se çdo komunë duhet të ketë mundësi të barabarta për të investuar në të ardhmen e saj. Ekipet e Qeverisë tashmë po punojnë për identifikimin e nevojave për një thirrje të re gjatë vitit të ardhshëm, me qëllim që ky cikël investimesh të vazhdojë edhe më fuqishëm”, deklaroi ajo për TVM2. Nga Qeveria u theksua se mbështetja për komunat do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, me synimin për të forcuar partneritetin me pushtetin lokal dhe për të krijuar kushte më të mira jetese për qytetarët.



Të ndryshme
Më shumë
Pas 14 muajsh në spital, pacienti me Covid pranon të vdesë: Nuk jetoj dot më kështu21 June 2021
Fatmir Bytyqi: Partia nuk guxon të harrojë se ekziston falë njerëzve 6 July 2026
Valon Syla: VV do të bie pas 5 ose 6 muajsh23 July 2021