Bërvenica pritet të shkojë në zgjedhje të reja për kryetar komune, pasi janë krijuar kushtet ligjore për përfundimin e mandatit të Jovica Ilievskit, i cili ndërroi jetë më 23 qershor në moshën 58-vjeçare. Qeveria, më 7 korrik, shqyrtoi informacionin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe konstatoi se ka bazë ligjore për përfundimin e mandatit, duke hapur rrugën për procedurën e zgjedhjes së kryetarit të ri. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, deklaroi se vendimi është marrë „në përputhje me dispozitat ligjore“. Ndërkohë, Këshilli i Komunës së Bërvenicës ka caktuar Robert Milosheskin si ushtrues detyre të kryetarit, deri në zhvillimin e procedurës së re zgjedhore. Ilievski, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet lokale të vitit 2025 në një garë të ngushtë me Hakim Ramadanin. Sipas rezultateve të plota të publikuara nga KSHZ-ja, Ilievski mori 4,369 vota, ose 47,71 për qind, ndërsa Ramadani 4,224 vota, ose 46,12 për qind. Tani pritet vijimi i procedurave institucionale për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat do të përcaktojnë drejtuesin e ardhshëm të Komunës së Bërvenicës.