Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar gjatë vizitës së tij në Serbi se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për mosnjohjen e Kosovës. “Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar”, deklaroi Zelensky pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd. Ai e lidhi këtë qëndrim me respektimin e integritetit territorial të Ukrainës nga Serbia, duke theksuar veçanërisht çështjen e Krimesë. “Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, duke përfshirë, pa dyshim, Krimenë. Ky qëndrim i Serbisë nuk po ndryshon, madje as në OKB”, tha presidenti ukrainas. Zelensky vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Beogradit, duke u shprehur se Ukraina e çmon këtë qëndrim. “Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen tuaj”, tha ai pas takimit me Vuçiqin. Vizita e Zelenskyt në Serbi shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa çështja e Kosovës mbetet një nga temat e ndjeshme në raportet e Beogradit me partnerët ndërkombëtarë. Reuters raportoi gjithashtu se Vuçiq përsëriti mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa vlerësoi qëndrimin e Kievit për Kosovën.