Nga Rajoni
8 August 2026
Ilir Kulla: Politika është real-interes-politikë, jo luftë në rrjetet sociale

Analisti shqiptar i çështjeve ndërkombëtare dhe zhvillimeve gjeopolitike, Ilir Kulla, ka komentuar pritjen që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori në Beograd nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Serbi. Vizita u shoqërua me bisedime për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunimin dypalësh dhe çështje që lidhen me rrugëtimin evropian të të dy vendeve. Duke iu referuar reagimeve që shoqëruan pamjet e pritjes së Zelenskyt në Beograd, Kulla ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për mënyrën se si duhet lexuar politika ndërkombëtare. “Për të gjithë ju që u mërzitët nga mikpritja e Zelenskyt në Beograd, kuptojeni që politika është real-interes-politikë dhe jo luftë në rrjetet sociale”, ka shkruar ai. Në vijim, analisti ka shtuar: “Kështu që përdorni trurin, jo algoritmin!”, duke nënvizuar se marrëdhëniet mes shteteve nuk mund të shpjegohen vetëm përmes reagimeve emocionale apo debateve në rrjetet sociale. Pritja e Zelenskyt nga Vuçiçi ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak të marrëdhënieve tradicionale të Serbisë me Rusinë, ndërsa Beogradi njëkohësisht synon të ruajë perspektivën e tij evropiane. Gjatë takimeve, Serbia ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, pa ndryshuar qëndrimin e saj për sanksionet ndaj Rusisë.



Të ndryshme
Më shumë
Ndahet nga jeta babai i Ilir Metës: Rexhep Meta përcillet nesër për në banesën e fundit 1 June 2026
SHBA dhe Maqedonia e Veriut drejt partneritetit të ri ekonomik13 February 2026
Tiktok kthen modën e viteve ’9029 October 2021