Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, mori pjesë në përkujtimin e 25-vjetorit të Brigadës 115, aktivitet i zhvilluar në fshatin Radushë, në sheshin që mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari. Ahmeti tha se në këtë përvjetor u rikthyen kujtimet e një periudhe që, sipas tij, ka lënë gjurmë të rëndësishme në rrugëtimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “Bashkë me bashkëpunëtorë dhe njerëz që e kanë përjetuar betejën e Radushës kujtuam momente krenarie të asaj kohe, që më pas u bënë udhërrëfyes në rrugëtimin tonë politik dhe në sukseset e njëpasnjëshme të popullit tonë”, u shpreh Ahmeti. Në fjalën e tij, ai përmendi edhe njerëzit e trevave shqiptare që nuk janë më në mesin e të gjallëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për atë periudhë. Ahmeti e cilësoi konfliktin e vitit 2001 dhe veprimtarinë e UÇK-së si pjesë të rrugëtimit drejt paqes dhe avancimit të pozitës së shqiptarëve në vend. “Lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare solli paqen dhe lirinë e munguar për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ai. Në përmbyllje, kryetari i BDI-së theksoi se kërkesa për barazi mbetet një ideal që, sipas tij, vazhdon të jetë pjesë e angazhimit politik shqiptar. “Idealet tona për të qenë të barabartë në këtë shtet vazhdojnë edhe sot”, tha Ahmeti.