Fjalët e para të një foshnjeje mund të tregojnë më shumë për botën që ajo sheh çdo ditë sesa mendohej më parë. Një studim i studiuesve të Indiana University ka gjetur se objektet që shfaqen më shpesh në fushën vizuale të bebeve mund të kenë ndikim në emrat që ato mësojnë në fazat e para të zhvillimit të gjuhës. Për të kuptuar këtë lidhje, studiuesit analizuan pamje të regjistruara nga tetë foshnja, pesë vajza dhe tre djem, të moshës 8 deri në 10 muajshe. Kamerat e vendosura në kokën e tyre regjistruan përvoja të zakonshme të përditshme, duke u dhënë kërkuesve mundësinë të shihnin botën nga këndvështrimi i vetë fëmijëve. Rezultatet sugjerojnë se objektet që përsëriten vazhdimisht në përvojën vizuale të foshnjave krijojnë një bazë të rëndësishme për mësimin e fjalëve. Sipas studiueses Linda B. Smith, “fjalët e para” lidhen me përvojën vizuale dhe me praninë e shpeshtë të objekteve në botën e fëmijës. Në këtë mënyrë, sende të zakonshme të përditshmërisë, si tavolina, shishja, luga apo veshjet, mund të bëhen ndër objektet që fëmija mëson t’i lidhë më herët me emrat e tyre. Studiuesit argumentojnë se kujtesa vizuale mund të krijojë gradualisht një bazë mbi të cilën fëmija ndërton lidhjen mes objektit dhe fjalës. Gjetjet janë të rëndësishme edhe për studimin e zhvillimit të gjuhës. Studiuesit kanë theksuar se kuptimi më i mirë i mënyrës se si foshnjat lidhin objektet me fjalët mund të ndihmojë në kërkimet mbi vonesat në të folur dhe vështirësitë e gjuhës, përfshirë kërkimet që lidhen me autizmin. Studimi tregon kështu se mësimi i gjuhës nuk nis vetëm në momentin kur një i rritur emërton një objekt. Përvojat e përsëritura të fëmijës me botën përreth duket se krijojnë gradualisht kujtesën dhe lidhjet që më vonë ndihmojnë në shfaqjen e fjalëve të para.