Qytetarët po përballen me një formë të re mashtrimi online që përdor emrin e sistemit “Safe City” për t’i bindur ata të paguajnë gjoba të rreme. Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar se mesazhe të dyshimta po shpërndahen përmes SMS-ve, email-eve dhe rrjeteve sociale, duke pretenduar se marrësit kanë kryer shkelje në trafik. Sipas MPB-së, mesazhet përmbajnë një lidhje të rreme përmes së cilës qytetarëve u kërkohet të kryejnë pagesën e një gjobe. Institucioni u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos vendosin të dhëna personale apo informacione të kartelave bankare. MPB këshillon qytetarët të kontrollojnë me kujdes edhe dërguesin e mesazhit. Sipas institucionit, njoftimet zyrtare për shkeljet në trafik duhet të dërgohen nga “MVR-SC”, të përmbajnë targën e automjetit dhe të kenë një lidhje zyrtare që fillon me safecountry.mvr.gov.mk. Mesazhet që nuk përmbushin këto elemente duhet të trajtohen si të dyshimta dhe të raportohen te institucionet kompetente ose te banka, veçanërisht nëse qytetari ka dhënë të dhëna financiare. Ndërkohë, Sektori për Krim Kibernetik në MPB po punon për identifikimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave përkatëse ndaj tyre.