Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, e ka cilësuar 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si një moment për të reflektuar mbi atë që është arritur dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm drejt barazisë institucionale në Maqedoninë e Veriut. Duke folur në kuadër të një panel-diskutimi për këtë përvjetor, Mexhiti tha se përgjegjësia tashmë është që të drejtat e fituara të mos mbeten vetëm në nivel parimesh, por të garantohen përmes ligjeve dhe institucioneve. “Të ruajmë atë që është arritur, ta institucionalizojmë atë që duhet mbrojtur dhe ta çojmë përpara barazinë përmes ligjeve, institucioneve dhe zhvillimit të drejtë”, u shpreh ai. Sipas Mexhitit, një nga prioritetet është rregullimi ligjor i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, në mënyrë që kjo e drejtë të mos varet nga vullneti politik. Ai theksoi gjithashtu se gjuha shqipe është e garantuar me ligj dhe se, sipas tij, pozita e saj juridike dhe institucionale është e qartë. Në fokus të fjalimit të tij ishte edhe decentralizimi. Mexhiti tha se komunat po përfitojnë më shumë mbështetje për projekte kapitale, ndërsa qeveria ka paraparë fonde të konsiderueshme për zhvillimin e infrastrukturës lokale. Megjithatë, të dhënat publike tregojnë se fondet prej 250 milionë eurosh për komunat janë planifikuar në kuadër të një programi më të gjerë dhe realizimi i tyre ka kaluar nëpër ndryshime buxhetore. Mexhiti veçoi edhe investimet infrastrukturore, duke përmendur Korridorin VIII dhe autostradën Shkup–Bllacë si projekte me rëndësi për lidhjen e vendit me Kosovën dhe Shqipërinë. Për autostradën Shkup–Bllacë, financimi i pjesës së dytë është siguruar përmes një granti prej 30.8 milionë eurosh dhe një kredie prej 167.6 milionë eurosh, ndërsa punimet janë paraparë të nisin në gusht. Në arsim, ai veçoi kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, investim që kap rreth 42 milionë euro. Gurthemeli i kampusit u vendos në mars të këtij viti dhe projekti është paraqitur si një nga investimet më të mëdha në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në vend. “Sepse të drejtat janë më të sigurta kur garantohen nga ligji dhe sistemi, e jo kur varen nga mekanizma që mund të keqpërdoren apo nga vullneti politik i cilitdo subjekt”, tha Mexhiti. Në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, mesazhi i tij është se faza e ardhshme duhet të fokusohet te zbatimi konkret i parimeve të marrëveshjes, përmes përfaqësimit institucional, decentralizimit, arsimit dhe investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.