Në 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi marrëveshjen si pjesë të historisë së re dhe të realitetit politik e institucional të Maqedonisë së Veriut. Në një postim në Facebook, ai tha se dokumenti duhet të trajtohet me pjekuri dhe me respekt për qëndrimet e ndryshme në shoqëri, duke theksuar se “historia nuk duhet të përshtatet me politikën ditore”. Sipas Mickoskit, 25 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, vendi përballet me sfida të reja dhe qytetarët presin institucione funksionale, barazi para ligjit, arsim e shëndetësi më cilësore, zhvillim ekonomik dhe më shumë mundësi për të ndërtuar të ardhmen brenda vendit. “Është koha që politika të merret gjithnjë e më pak me atë që na ndan dhe shumë më tepër me atë që duhet të ndërtojmë së bashku”, shkroi kryeministri. Mickoski nënvizoi gjithashtu se vlera e qytetarit nuk duhet të përcaktohet nga prejardhja, por nga “dija, puna, ndershmëria dhe kontributi në komunitet”. Ai bëri thirrje për një shtet stabil dhe të sigurt, ku çdo qytetar të ndihet i respektuar dhe i barabartë para ligjit. “E kaluara nuk mund të ndryshohet, por mund të vendosim se çfarë të ardhme do të ndërtojmë”, theksoi ai, duke shtuar se kjo e ardhme duhet të jetë e çliruar nga tensionet etnike, manipulimet politike dhe ndarjet. Marrëveshja Kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 dhe përbën një dokument kyç për zhvillimet politike dhe institucionale të vendit. Në përfundim të mesazhit të tij, Mickoski tha se përgjegjësia e gjeneratës së sotme është t’u lërë gjeneratave të ardhshme “një Maqedoni më stabile, më të suksesshme dhe më të drejtë”, ku dallimet respektohen, por e ardhmja e përbashkët është më e fortë se gjithçka që i ndan qytetarët.