Nga Rajoni
16 August 2026
Hamza: Edhe 30 ditë deri te aktgjykimi në Hagë, presim drejtësi dhe kthimin e katërshes së UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar se kanë mbetur edhe 30 ditë deri më 16 shtator, kur Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar shpalljen e aktgjykimit.
Hamza e ka cilësuar procesin si të padrejtë dhe ka thënë se pret që 16 shtatori të shënojë përfundimin e këtij kapitulli dhe kthimin në Kosovë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Sot na ndajnë 30 ditë nga 16 shtatori, dita kur do të marrë fund procesi gjashtëvjeçar i padrejtë, që i ka mbajtur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të izoluar në Hagë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka theksuar se katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë kaluar rreth gjashtë vite në paraburgim, larg familjeve dhe Kosovës, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe janë përballur, sipas tij, me “paragjykime, tendenca, narrativa politike, shkelje të të drejtave dhe padrejtësi të shumta”.
“Pritshmëritë dhe kërkesat tona janë të qarta: drejtësi dhe lirim”, ka deklaruar kreu i PDK-së.
Hamza ka shtuar se pas gjashtë vitesh, 16 shtatori duhet të jetë dita kur mbyllet ky kapitull dhe katër ish-krerët e UÇK-së kthehen në Kosovë. “Duhet të jetë dita kur katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kthehen në shtëpi”, ka shkruar ai.
Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar zyrtarisht se aktgjykimi në çështjen ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00. Gjykata ka sqaruar se afati është zgjatur për shkak të vëllimit të madh të provave dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor.
“Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi”, ka përfunduar Hamza.



Të ndryshme
Më shumë
Instagram iu kërkon përdoruesve të vendosin datën e lindjes ose nuk mund të përdorin me aplikacionin 2 September 2021
Zhëlinë: Pas zgjedhjeve, vazhdojnë punimet në aksin Çiflik–Dëbërcë24 November 2025
Prokuroria jep fjalët përfundimtare për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit 9 June 2025