Nga Vendi
19 August 2026
Bekim Fazliu akuzon ish-ministrin: “Me Kosovën kujdes, është e shqiptarëve”

Ish-deputeti dhe kreu i Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të një ish-ministri nga Maqedonia e Veriut, duke e akuzuar se, në përpjekje për të sulmuar VLEN-in, ka përfshirë në kritikën e tij edhe Kosovën. Fazliu e lidh këtë qasje me qëndrimet e ish-ministrit ndaj nismës “Open Balkan” dhe marrëdhënieve të tij me Serbinë. Ai pretendon se ish-ministri ka zhvilluar 11 vizita në Serbi dhe asnjë në Kosovë, ndërsa përmend edhe pritjen e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Shkup dhe qëndrimin e tij ndaj rastit të Banjskës. “E të del një ish-ministër nga Maqedonia, pionier i ‘Open Balkan’-it, që ka pasur 11 vizita në Serbi e asnjë në Kosovë; që e mirëpret Lavrovin në Shkup; që bëhet ‘asnjëanës’ në rastin terrorist të Banjskës”, shkruan Fazliu. Sipas tij, ish-ministri, pas kalimit në opozitë, po përdor sulmet ndaj VLEN-it për të goditur edhe Kosovën. Fazliu pretendon gjithashtu se ai i referohet Kosovës me terminologji që, sipas tij, lidhet me qasjen serbe, duke përdorur emërtimin “Prishtinë” në vend të “Republika e Kosovës”. “Kjo nuk është thjesht kritikë ndaj VLEN-it. Kjo është një qasje serbe që sulmon Kosovën”, shprehet Fazliu. Në reagimin e tij, ai rikthen në vëmendje edhe debatin për “Open Balkan”, duke e cilësuar këtë nismë si faktor që, sipas tij, ka dobësuar ndikimin euro-amerikan në rajon. “Dobësimi i ndikimit euro-amerikan kishte një emërues të përbashkët katastrofalo-negativ: OPEN BALLKAN”, shkruan ai. Fazliu përmend edhe listat amerikane të sanksioneve si argument për të mbështetur kritikën e tij politike, ndërsa ish-ministrit i kërkon që opozitën ta zhvillojë, siç shprehet ai, “pak më burrërisht”. “Po ua rikujtojmë edhe njëherë! [...] Pak ma burrërisht mbajeni opozitën. Ani, mund të vazhdoni t’jeni argat i ‘Open Ballkan’-it, po me Kosovën kujdes! Është e shqiptarëve, e jona dhe besoj se edhe e jotja!”, përfundon Fazliu. Reagimi i tij vjen në kuadër të përplasjes së vazhdueshme politike mes forcave shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Fazliu ka qenë aktiv edhe më herët në kritikat ndaj BDI-së dhe debatet për “Open Balkan”.



Të ndryshme
Më shumë
“A po përpiqesh të joshësh dikë brenda në shtëpi”, Semi vihet në siklet nga banorët22 October 2021
Haxhi këtë vit do të kryhet por vetëm nga muslimanët që jetojnë në Arabinë Saudite dhe që janë me kombësi të ndryshme22 June 2020
Pse duhet të hani shalqi çdo ditë, dhjetë arsye të forta për shëndetin27 July 2020