Analisti politik Lutfi Bilalli ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës, duke e vlerësuar situatën si një moment ku Albin Kurti po përpiqet të gjejë rrugë komunikimi me partitë opozitare. Duke folur në emisionin “Click” të RTV21, Bilalli tha se Kurti tashmë ka interes të takohet me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjinin, dhe kreun e PDK-së, Bedri Hamzën. “Besoj e tëra që Kurti po gjunjëzohet, është i përmalluar të takohet edhe me Gjinin dhe me Hamzën. Ka zor, nuk është që ka qef, ka zorë, dëshiron patjetër ai të bëjë tentativë që unë gjith i ftova, po ja që duhet të shkojmë në zgjedhje, se nuk po merrem vesh me këta”, deklaroi Bilalli. Ai u shpreh i rezervuar edhe për raportet mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, duke ngritur pikëpyetje nëse afrimi mes tyre do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve. “Edhe me mikun, nuk e di a do të ketë mik deri në zgjedhje apo edhe pas zgjedhjeve, Abdixhikun”, tha ai. Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Bilalli vlerësoi se LDK-ja mund të ketë rol vendimtar në çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Sipas tij, një nga emrat që mund të merret në konsideratë është ish-ministri dhe ish-deputeti i LDK-së, Haki Demolli. “E vetmja rrugë është LDK-ja, nuk ka tjetër zgjedhje. O do ta ketë kandidatin e LDK-së, i cili mund të jetë Demolli në këtë rast, Haki Demolli”, u shpreh Bilalli. Haki Demolli është figurë e njohur e LDK-së, ish-ministër dhe ish-deputet, ndërsa aktualisht është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.