Nga Rajoni
8 September 2026
Zbulohet murali i krerëve të UÇK-së në Prishtinë

Është përfunduar sot në Prishtinë murali kushtuar kujtesës së luftës, sakrificës dhe lirisë, i realizuar me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit.

Me rastin e përfundimit të muralit, Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe drejtori i Kulturës, Isah Mustafa, së bashku me artisten OrangeGirl, e cila e ka realizuar veprën, vizituan hapësirën ku tashmë murali bëhet pjesë e peizazhit urban dhe kujtesës publike të kryeqytetit.

Murali paraqet katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë dhe ndërton një rrëfim vizual mbi luftën, mungesën, burgimin dhe lirinë, si pjesë e një historie që vazhdon të ketë peshë në kujtesën kolektive të Kosovës.
“Ky mural tashmë bëhet pjesë e hapësirës publike dhe kujtesës së Prishtinës. Është një kujtesë për rrugën tonë drejt lirisë, për sakrificën dhe për njerëzit që ishin pjesë e asaj rruge. Prishtina kujton dhe Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve”, tha Musmurati.

Portretet e realizuara në të kuqe simbolizojnë luftën, sakrificën, revoltën dhe tensionin emocional.

Siluetat e ushtarëve në pjesën e poshtme të portreteve përfaqësojnë identitetin e luftëtarit dhe kontributin e tyre për liri. Pozicionimi i tyre në vendin ku zakonisht do të ishte kravata simbolizon kalimin nga luftëtari te figura publike dhe shtetformuese, duke ndërlidhur kontributin e tyre në luftën për liri me angazhimin e mëvonshëm në ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës.

Teli në sfond simbolizon kufizimin, ndarjen dhe izolimin, ndërsa zogjtë që fluturojnë mbi të përfaqësojnë lirinë dhe daljen përtej barrierave fizike.

Murali është realizuar nga artistja OrangeGirl, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit.

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” falënderon nënkryetaren e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, për angazhimin, bashkëpunimin dhe solidarizimin e vazhdueshëm me aktivitetet e organizuara në kuadër të pritjes së vendimit për çlirimtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Prishtina kujton. Prishtina pret. Kosova pret kthimin e çlirimtarëve.



Të ndryshme
Më shumë
Ndalohet një person nga Gjevgjelia, ka vozitur me shpejtësi 99 km/h në zonë me shpejtësi 40 km/h16 July 2025
Pse nuk ekziston qoftë një ilaç i vetëm për ta shëruar kancerin? 7 July 2021
Zgjedhjet në RMV, do të votohet në 3.474 vendvotime18 October 2025