Lamine Yamal ka zbuluar tre futbollistët që ka admiruar më së shumti gjatë fëmijërisë së tij, ndërsa përgjigjja e tij ka befasuar jo pak për shkak të një emri.
Ylli i Barcelonës dhe Kombëtares së Spanjës u pyet se cilët ishin idhujt e tij të futbollit kur ishte fëmijë dhe dha një përgjigje me tre emra: Lionel Messi, Neymar dhe Karim Benzema.
“Lionel Messi, Neymar dhe Karim Benzema”, u përgjigj Yamal.
Dy emrat e parë nuk përbëjnë ndonjë surprizë të madhe. Messi dhe Neymar kanë qenë ndër figurat më të mëdha të Barcelonës, me argjentinasin që konsiderohet gjerësisht si një prej, nëse jo lojtari më i madh në historinë e klubit.
Neymar gjithashtu ishte një prej idhujve të mëdhenj të Yamalit gjatë fëmijërisë. Talenti spanjoll ka folur edhe më herët për admirimin e tij ndaj brazilianit, veçanërisht për stilin spektakolar të lojës, driblimet dhe mënyrën se si përballej me mbrojtësit.
Ndikimi i Neymarit te Yamal është vërejtur shpesh edhe në mënyrën se si 19-vjeçari luan, pasi ai njihet për driblimet, kreativitetin dhe guximin për të sfiduar kundërshtarët në situata një kundër një.
Megjithatë, emri që ka tërhequr më shumë vëmendje është Karim Benzema.
Francezi u bë një prej legjendave më të mëdha të Real Madridit, rivalit historik të Barcelonës. Benzema kaloi 14 sezone në “Santiago Bernabeu”, duke fituar pesë trofe të Ligës së Kampionëve dhe Topin e Artë në vitin 2022, përpara largimit nga klubi në vitin 2023.
Për një lojtar që është rritur në kulturën e Barcelonës, zgjedhja e një legjende të Real Madridit si një prej idhujve të fëmijërisë është padyshim interesante.
Megjithatë, deklarata e Yamalit tregon se admirimi për një futbollist mund të tejkalojë rivalitetet mes klubeve.
Yamal tashmë është shndërruar në një prej figurave kryesore të së ardhmes së Barcelonës dhe, pavarësisht moshës së re, ka marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në skuadër.
Ai gjithashtu është nominuar për Topin e Artë të vitit 2026 pas një tjetër sezoni të jashtëzakonshëm dhe ka deklaruar se nuk do të bëjë fushatë për ta fituar çmimin, duke besuar se paraqitjet e tij duhet të flasin vetë.