Nga Vendi
11 September 2026
Po hetohen 32 lokacione në Shkup për falsifikim të patentë-shoferëve

Prokuroria Themelore Publike (PTHP) – Shkup po kryen kontrolle në 32 lokacione në Shkup, te persona, në shtëpi dhe në hapësira zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me falsifikimin e patentë-shoferëve.

“Po ndërmerren edhe veprime të tjera për sigurimin e provave, për shkak të dyshimeve për veprën penale – Falsifikimi i dokumentit nga neni 378 i Kodit Penal”, njoftoi PTHP-Shkup.

Më herët, edhe MPB-ja njoftoi se po zhvillon aksion të ri lidhur me lëshimin e paligjshëm dhe falsifikimin e patentë-shoferëve.

Nga MPB-ja thonë se aksioni është në zhvillim e sipër, me qëllim zbardhjen e rasteve dhe sigurimin e provave materiale.

Aksioni i sotëm vjen pas hetimit të nisur muajin e kaluar nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së, kur u zbulua se punonjës të shërbimeve administrative, për rreth 1.400 euro, në mënyrë të paligjshme u kishin regjistruar kategoritë C dhe D në patentë-shoferët e personave që nuk kishin dhënë provim për drejtimin e kamionëve apo autobusëve.

Sipas informacioneve të deritanishme, në këtë rast disa qytetarë dyshohet se e kanë anashkaluar të gjithë këtë proces. Në vend të orëve të trajnimit dhe provimeve, kundrejt pagesës, kategoria u është shtuar drejtpërdrejt në patentë-shofer.



Të ndryshme
Më shumë
Ky është vendimi më i fundit për Enver Sekiraqën, lidhur me vrasjen e Triumf Rizës 3 September 2021
Maqedonisë i duhet 80% e popullatës të jetë e vaksinuar për të fituar imunitetin kolektiv21 July 2021
Kovaçevski: Dorëheqja ime në pajtim me ligjin për Qeverinë Teknike10 January 2024