Ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, ka bërë thirrje që dy regjisorëve izraelitë, Yuval Abraham dhe Rachel Szor, t’u hiqet shtetësia, pasi dokumentari i tyre “NAZA” fitoi një çmim në Festivalin e Filmit në Venecia.
Zohar i akuzoi regjisorët, të cilët më herët kanë fituar edhe çmimin Oscar, për “tradhti ndaj shtetit”, duke pretenduar se filmi dëmton Izraelin dhe imazhin e tij ndërkombëtar.
Dokumentari “NAZA”, i prodhuar nga “The Guardian”, trajton mënyrën se si ushtria dhe inteligjenca izraelite kanë përdorur sisteme të avancuara të përzgjedhjes së objektivave gjatë bombardimeve në Gaza.
Titulli “NAZA” vjen nga një akronim që, sipas filmit, përdoret nga shërbimet izraelite për të përllogaritur numrin e civilëve që mund të vriten gjatë një sulmi ajror.
Në dokumentarin 80-minutësh, Abraham dhe Szor kanë intervistuar 24 persona që kanë punuar në ushtrinë ose shërbimet e inteligjencës izraelite dhe që flasin për sistemet e përdorura për identifikimin e objektivave.
Një prej burimeve pretendon se, në një rast, ishte dhënë miratimi për rrezikimin e jetës së deri në 500 civilëve për të vrarë një pjesëtar të Hamasit. Pretendimet janë kundërshtuar nga ushtria izraelite.
Dokumentari fiton çmim në Venecia
“NAZA” fitoi çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia, pasi u prit me një duartrokitje rreth 25-minutëshe, e cila sipas organizatorëve përbënte një rekord të festivalit.
Një ditë më vonë, ministri izraelit i Kulturës reagoi ashpër përmes platformës X.
Ai i akuzoi regjisorët se ishin të gatshëm “ta dëmtonin atdheun e tyre për të marrë duartrokitje nga antisemitët në mbarë botën”.
“Do të veproj menjëherë për t’ua hequr shtetësinë izraelite këtyre krijuesve të neveritshëm për tradhti ndaj shtetit”, shkroi Zohar.
Reagime të ashpra edhe nga ministra të tjerë
Edhe zyrtarë të tjerë izraelitë sulmuan publikisht Abrahamin dhe Szorin.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, u tha atyre se ishin “turp për të gjithë popullin e Izraelit”.
“Jam i sigurt se miqtë tuaj, domethënë armiqtë tanë nga Hamasi në Gaza, do t’ju presin krahëhapur”, shkroi ai në X.
Ish-ministri i Mbrojtjes Avigdor Lieberman i quajti regjisorët “urrejtës të Izraelit”, ndërsa ish-kryeministri Naftali Bennett e përshkroi filmin si një akuzë të rëndë dhe të padrejtë kundër ushtarëve izraelitë.
Abraham dhe Szor kishin fituar Oscar në vitin 2025 për dokumentarin “No Other Land”, i cili trajtonte dhunën e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
A mund t’u hiqet realisht shtetësia?
Ligji izraelit e lejon në raste të caktuara heqjen e shtetësisë, megjithëse kjo masë përdoret rrallë.
Në vitin 2022, Gjykata Supreme e Izraelit konfirmoi se shteti mund t’ia heqë shtetësinë një personi që konsiderohet se ka shkelur detyrimin e “besnikërisë”, për shembull në raste spiunazhi ose tradhtie.
Ligji u zgjerua në vitin 2023 për të përfshirë edhe persona të dënuar për terrorizëm.
Megjithatë, procesi kërkon disa hapa ligjorë: ministri i Brendshëm duhet ta paraqesë kërkesën, ministri i Drejtësisë duhet ta miratojë dhe më pas vendimi duhet të konfirmohet nga gjykata.
Regjisori ishte kërcënuar edhe pas filmit të mëparshëm
Shtëpia familjare e Yuval Abrahamit ishte vënë në shënjestër nga një turmë e ekstremit të djathtë pas premierës së “No Other Land” në vitin 2024.
Duke folur më herët për “The Guardian”, Abraham kishte thënë se regjisorët izraelitë marrin rreziqe, por se situata e tyre nuk mund të krahasohet me atë të gazetarëve palestinezë.
“Ne po marrim rreziqe brenda një sistemi që na privilegjon”, kishte deklaruar ai.
Sipas tij, palestinezët përballen me rreziqe shumë më të mëdha dhe më të drejtpërdrejta gjatë raportimit për luftën.
Ushtria izraelite kundërshton pretendimet
Ushtria izraelite fillimisht deklaroi se i “hedh poshtë kategorikisht” akuzat e bëra në dokumentar dhe kritikoi përdorimin e dëshmive anonime, duke thënë se identiteti i personave të intervistuar nuk mund të verifikohej.
Në një reagim të mëvonshëm, ushtria tha se pretendimet kërkonin një përgjigje të detajuar dhe të bazuar në prova, në vend të një mohimi të përgjithshëm.
Në anën tjetër, disa figura të së majtës izraelite e kanë përshëndetur filmin.
Ish-deputeti Yousef Jabareen, drejtues i partisë së majtë Hadash, i përgëzoi regjisorët për çmimin dhe tha se filmi kishte sjellë para miliona shikuesve atë që ai e quajti “realitetin brutal në Gaza”.
Edhe gazeta izraelite “Haaretz”, në një editorial, u bëri thirrje izraelitëve të përballen me veprimet e vendit të tyre gjatë luftës.
Sipas gazetës, filmi synon t’i detyrojë izraelitët të diskutojnë mbi mënyrën se si po zhvillohet lufta në Gaza.
Lufta në Gaza vazhdon të shkaktojë debate të ashpra
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, në të cilin, sipas një bilanci të AFP-së të bazuar në shifrat zyrtare izraelite, u vranë 1,221 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Në vitet që pasuan, ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i të vdekurve ka kaluar 73 mijë. Shifrat dhe përgjegjësia për viktimat civile vazhdojnë të jenë objekt i debateve të forta politike dhe ndërkombëtare..