Nga Bota
14 September 2026
Parlamenti Evropian debaton nesër për glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq

Nesër, gjatë seancës plenare në Strasburg, Parlamenti Evropian do të zhvillojë një debat për glorifikimin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq dhe të krimeve të luftës në Serbi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian. Debati është përfshirë zyrtarisht në rendin e ditës së sesionit të shtatorit të Parlamentit Evropian, raporton N1.

Diskutimi zhvillohet vetëm një javë pas varrimit të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq në Beograd, ngjarje që shkaktoi reagime të ashpra nga institucionet evropiane dhe një numër shtetesh anëtare të BE-së. Sipas njoftimit të Parlamentit Evropian, eurodeputetët dhe Komisioni Evropian do të shqyrtojnë ndikimin e përkujtimit dhe glorifikimit publik të krimeve të luftës në procesin e integrimit evropian të Serbisë.

Ratko Mlladiç vdiq në fund të gushtit në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm pas dënimit përfundimtar nga gjykata ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, në vitet 1992–1995.

Varrimi i Mlladiçit në Beograd mblodhi mijëra persona, mes tyre edhe zyrtarë të lartë serbë dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe. Ceremonia u shoqërua me simbole ushtarake dhe mesazhe mbështetjeje për kriminelin e dënuar të luftës, duke nxitur reagime të forta në Evropë.

Glorifikimi i Mlladiçit u dënua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Kjo e fundit anuloi më pas një vizitë të planifikuar në Serbi, duke theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës është i papajtueshëm me vlerat evropiane.

Gjatë debatit të nesërm pritet që eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike të ngrenë çështjen e përgjegjësisë së vendeve kandidate për krijimin e një kulture të kujtesës, respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe përafrimin me vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

 



Të ndryshme
Më shumë
BE-ja ia rrit shpresat Shkupit për bisedimet e anëtarësimit 4 October 2021
VIDEO/ ‘Shqiptarët na vunë në rresht, na poshtëruan’, grekëve nuk u del inati: ‘Duhet ligji i ...19 January 2021
Selin Bollati tregon çfarë ka ndodhur me 100 mijë eurot e Big Brother VIP 15 September 2026