Në foto është Hysni Patushi, i cili dyshohet se vrau me thikë bashkëshorten e tij, Lumturie Patushin, brenda banesës së tyre në zonën e Zogut të Zi në Tiranë.
Ngjarja është raportuar në orën 10:20, ndërsa shërbimet e policisë janë njoftuar nga Salla Operative për një plagosje me mjet prerës brenda familjes.
Në banesën e tyre në zonën e Zogut të Zi, ka mbërritur menjëherë ekipi i urgjencës mjekësore, i cili ka konstatuar vdekjen e Lumturie Patushit. Sipas të dhënave paraprake, ajo kishte një plagë të thellë në pjesën e djathtë të kraharorit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima është goditur me thikë nga bashkëshorti i saj, Hysni Ramadan Patushi.
Siç raporton Top Channel, ngjarja është parë edhe nga një prej nipërve të çiftit, 14-vjeçari A. J., i cili ndodhej në banesë me vëllezërit e tij të vegjël dhe gjyshërit. Sipas deklarimeve paraprake, ai kishte parë gjyshërit duke debatuar dhe, pasi ishte larguar për pak çaste nga banesa, kur ishte kthyer kishte parë gjyshin duke goditur me thikë gjyshen.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar ishte larguar nga banesa, ndërsa policia kishte nisur kërkimet për lokalizimin e tij. Në vendngjarje nuk është gjetur apo sekuestruar ende mjeti prerës.
Autori i dyshuar, Hysni Patushi, është vetëdorëzuar në Komisariatin nr. 5, ku është shoqëruar nga shërbimet e policisë.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes./TCh/