Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në New York në hapjen e edicionit special të “Qatar Economic Forum, Powered by Bloomberg”, i zhvilluar në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Forumi, i mbajtur më 20 shtator, mbledh liderë politikë, drejtues institucionesh, investitorë dhe drejtues të kompanive të mëdha ndërkombëtare për të diskutuar zhvillimet që po ndikojnë në ekonominë dhe sigurinë globale. Osmani tha se pjesëmarrja në një forum të tillë përbën një mundësi për të forcuar partneritetet ndërkombëtare dhe për të krijuar hapësira të reja për Kosovën. “Në një kohë të transformimeve të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike, ky forum sjell së bashku liderë politikë, drejtues të institucioneve ndërkombëtare dhe kompanitë më të mëdha amerikane e ndërkombëtare”, u shpreh ajo. Sipas Osmanit, prania e Kosovës në këto platforma është e rëndësishme për të kërkuar përkrahje ndërkombëtare dhe për të tërhequr mundësi të reja investimi e zhvillimi. “Prania në këto organizime është mundësi për të forcuar partneritetet ndërkombëtare, për të kërkuar përkrahje për Kosovën dhe për të hapur horizonte të reja për investime dhe zhvillim”, tha ish-presidentja. Ajo e përmbylli mesazhin e saj me theksin se Kosova duhet të jetë pjesë e tryezave ku diskutohen zhvillimet globale dhe mundësitë ekonomike të së ardhmes. “Kosova duhet gjithnjë të jetë aty ku diskutohen dhe ndërtohen mundësitë e së ardhmes”, deklaroi Osmani. Edicioni special i forumit në New York zhvillohet nën temën “Growth on New Terms: Capital, Risk and Resilience” dhe trajton çështje që lidhen me ndryshimet gjeopolitike, rrjedhat e kapitalit dhe tregtisë, energjinë, teknologjinë dhe investimet globale.