Në marshin protestues të organizuar nga studentët kundër dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, ka marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama ka thënë se UÇK-ja është vlerë kombëtare dhe se ajo nuk mund të kriminalizohet.
Ai ka deklaruar se katër ish-krerët e UÇK-së janë akuzuar në mënyrë joproporcionale, duke theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte përgjigje ndaj spastrimit etnik dhe shtypjes gjatë luftës.
Rama: Në mënyrë disproporcionale janë akuzuar krerët e UÇK-së
“Në mënyrë disproportionate janë akuzu krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime, duke anashkalu faktin se UÇK-ja është përgjigja e gjithë popullit tonë ndaj spastrimit etnik, shtypjes e përdhunimkt që ka ndodh gjatë luftës. Nuk mundet një vlerë kombëtare të kriminalizohet nga asnjë arsye. Për këtë arsye sheshet e kryeqytetit janë gjithmonë të hapura dhe në përkrahje të çdo proteste që mbron vlera kombëtare”, tha Rama.
Ai bëri thirrje që institucionet dhe partitë politike ta tejkalojnë dimensionin partiak dhe të krijojnë unitet kombëtar.
Rama: Duhet të jemi një, bashkë
“Bëj thirrje të gjitha institucioneve, partive të mësohet të jetë kjo përtej partive. Kjo pozitë tash ku jemi duhet të shfrytëzohet për një unitet kombëtar, duhet të jemi një, bashkë, sepse po cenohet vetë procesi mbi të cilin ne sot jemi të pavarur”, shtoi Rama.
I pari i kryeqytetit foli edhe për sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës, duke përmendur të rënët, heronjtë dhe dëshmorët.
Rama: Sheshet do t’i quaja sheshet e çlirimtarëve
“Çlirimtarët që une sot të gjithë këto sheshe i kisha thirrë sheshet e çlirimtarëve, e kanë ndërru edhe jetën e tyre, shumë prej tyre kanë vdek e janë heronj, shumë prej tyre dëshmorë për të mbrojtuar familjen e vet, shtetin e vet dhe të ardhmen tonë”, u shpreh ai.
Mes tjerash, Rama tha se ky është momenti për bashkim kombëtar dhe bëri thirrje që të gjithë të jenë bashkë në mbrojtje të vlerave kombëtare.