Kryeministri Albin Kurti është zotuar se Qeveria e Kosovës do t’i mbështesë avokatët e ekipeve mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Apel në Gjykatën Speciale në Hagë, pasi ata u dënuan me 81 vjet burgim në shkallën e parë.
I pyetur nga një studente shqiptare gjatë vizitës së tij në SHBA se cila është strategjia, Kurti tha se shteti do të kishte bërë më shumë po të kishte vetëm një ekip mbrojtës për të katërtit.
“Shteti i Kosovës mund të kishte bërë më shumë nëse do të kishte pasur një ekip të përbashkët për të katër liderët e UÇK-së. Por nuk ndodhi kështu”, tha ai, siç dëgjohet në një video të publikuar nga VOX Kosova.
“Secili prej liderëve të UÇK-së mori avokatin e tij mbrojtës, ekipin e tij. Kështu që kishim katër ekipe të ndryshme. Dhe është goxha e vështirë për Qeverinë të angazhohet kur ke katër ekipe të ndryshme”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës përmendi se ai vetë s’e ka njohur gjykatën e Serbisë kur është gjykuar, por tha se avokatët e ish-krerëve të UÇK-së, “kishin një qëndrim tjetër”.
“Më njihni shumë mirë. Unë nuk e njoha gjykatën e Serbisë ose të UNMIK-ut kur më gjykuan mua”, tha ai.
“Avokatët mbrojtës të të katër liderëve të UÇK-së kishin një qëndrim tjetër. Ata mendonin se duke punuar ngushtë me Dhomat e Specializuara do të arrinin një rezultat pozitiv”, tha Kurti.
Studentja shqiptare, Anisë Murseli, e cila e pyeti, përmendi rastin e Kroacisë dhe angazhimin e shtetit atje për t’i mbështetur juridikisht ish-liderët ushtarakë.
“Ju përmendët strategjinë dhe jo reagimin emocional. Mendoj se kemi një shembull të mirë për të parë, që është situata në Kroaci në vitin 2011 kur gjenerali Ante Gotovina u dënua me 24 vjet burgim. Dhe mes atij momenti dhe apelimeve, qeveria kroate bëri shumë për t’i mbështetur ata. Duke filluar nga rritja e mbështetjes financiare, e cila në rastin e Kosovës ka qenë një problem. Shumë avokatë në fakt u tërhoqën për shkak të mungesës së mbështetjes financiare nga qeveria jonë deri te kryerja e kërkimeve akademike mbi aktgjykimin, deri te ofrimi që vetë qeveria kroate të ishte mike e gjykatës dhe një lloj dëshmitareje dhe t’i ofronte direkt provat e saj, deri te krijimi i mekanizmave për të siguruar që provat të mos jenë të rreme dhe kështu me radhë. Këto janë të gjitha gjëra që ne mund t’i bëjmë dhe që mund t’i shqyrtojmë. Dhe duket se ekziston një lloj strategjie që mund ta ndjekim. Çfarë hapash konkretë po ndërmerrni tani?”, tha ajo.
“Janë bërë katër ditë. Duket se jemi në një krizë. Ka protesta në Prishtinë. Kjo është shumë e rëndësishme për historinë tonë, për UÇK-në, dhe ju nuk jeni vetëm kryeministër i partisë suaj. Ju jeni kryeministër i të gjithë vendit. Dhe shumë njerëz në vendin tuaj tani janë jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën”, shtoi studentja.