Nga Rajoni
23 September 2026
Nga masa për arrest shtëpiak te dorëzimi në pikëkalimin kufitar në Morinë, krejt çka rreth rastit të Vlora Hysenit

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni tashmë është shkarkuar nga pozita dhe ndodhet në masën e arrestit në shtëpi, pas kërkesës së Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

SPAK-u ka njoftuar se Hyseni po hetohet për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Masa ndaj saj u bë publike më 22 shtator, ndërsa Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit për një vizitë pune.

Lidhur me rastin në pyetje është marr edhe ish drejtori i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda.

Çka thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK-ut?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur se po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

SPAK ka dalë edhe me njoftim zyrtar, ku bëhet e ditur për masën e arrestit shtëpiak për Vlora Hysenin dhe fillimisht pezullimin nga ushtrimi i detyrës.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:

“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.

Rama e liroi nga detyra

Disa orë pas lajmit për Vlora Hysenin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se e ka liruar nga detyra shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Kjo pasi Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ajo të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në arrest shtëpiak.

Masat e vendosura nga Prokuroria e Posaçme lidhen me një hetim për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Rama, që gjendet në Shtetet e Bashkuara ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se është njoftuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për Hysenin dhe tha se pret që çdo dyshim i organit ndjekës të hetohet dhe të zbardhet.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë”, shkroi Rama.

Ai në rrjetet sociale paralajmëroi se sapo të kthehet nga SHBA-ja, në konsultim me presidentin Bajram Begaj, do të emërohet kreu i ri i SHISH-it.

Presidenti Begaj dekretoi shkarkimin e Hysenit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Vendimi është marrë me propozim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa vjen pasi Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest me burg” dhe pezullimin nga detyra.



Të ndryshme
Më shumë
“Mund të vijë dita që të mos ketë më naftë”/ Paralajmëron Rama: Qeveria po bën gati planin, dita pa makina dhe puna nga shtëpia një opsion18 March 2022
Don Xhoni zbulon se Noizy i paska bërë “follow”, por ai ia la seen, “Të premtoj se …” 3 August 2021
Trajkoviq: Vuçiq kishte shpresuar se Kosova do të ndahej deri në vitin 202124 September 2021