Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka nderuar sot viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, gjatë vizitës në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.
Kos tha se mendimet e saj janë veçanërisht me Nënat e Srebrenicës, të cilat, sipas saj, pavarësisht humbjeve të mëdha, kanë mbetur ndër zërat më të fuqishëm për pajtim.
“Ndërsa ambasadorët e shteteve anëtare nderojnë sot viktimat në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, mendimet e mia janë veçanërisht me Nënat e Srebrenicës”, tha Kos.
Ajo theksoi se Nënat e Srebrenicës “kanë përjetuar humbje të paimagjinueshme, por kanë mbetur ndër zërat më të fuqishëm për pajtim, të bazuar në të vërtetën, drejtësinë, kujtesën dhe mundësinë për një të ardhme ndryshe”.
Sipas Kos, ky është edhe parimi mbi të cilin është themeluar Bashkimi Evropian.
“Bashkimi Evropian u themelua mbi të njëjtin besim: se edhe pas krimeve më të tmerrshme, ish-armiqtë mund të zgjedhin të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët, në të cilën vuajtje të tilla nuk mund të ndodhin më kurrë”, deklaroi ajo.
Kos shtoi se një e ardhme e tillë është ajo që “e meriton Ballkani Perëndimor” dhe se ajo mund të ndërtohet nga vetë njerëzit e rajonit.