Tarifat e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në Zvicër, të cilat tashmë përbëjnë një barrë mjaft të rëndë financiare për familjet, do të kenë një tjetër rritje të ndjeshme vitin e ardhshëm. Ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, bëri me dije të martën se tarifat do të rriten mesatarisht me 5 për qind në shkallë vendi. Kjo rritje është edhe më e lartë se ajo e vitit të kaluar dhe tejkalon dukshëm ecurinë e rritjes së pagave, duke bërë që tarifa mesatare mujore për të gjitha grupmoshat dhe modelet e sigurimit të kalojë për herë të parë pragun prej 400 frangash.
Ndikimi i kësaj rritjeje nuk do të jetë i barabartë në të gjitha rajonet. Shtrenjëtimi më i lartë pritet në kantoni Jura me një rritje mesatare prej 6,6 për qind. Pas kantonit Jura, rritje të theksuara regjistrojnë edhe Schaffhausen, Solothurn, Appenzell Innerrhoden si dhe kantonet e mëdha si Zürich e Bern.
Në kantonin më të populluar të vendit, në Zürich, tarifat rriten mesatarisht me 5,8 për qind. Në këtë kanton, të hyrat nga tarifat nuk i mbuluan kostot reale të kujdesit shëndetësor. Edhe në kantonin e Bernës rritja është mbi mesataren me 5,4 për qind, ndërsa Basel-Stadt me 4,5 për qind dhe Baselland me 4,3 për qind e kalojnë situatën pak më lehtë. Rritja më e ulët në shkallë vendi u regjistrua në Glarus me vetëm 3 për qind, ndërsa Vaud (Waadt) dhe Tiçino po ashtu përballen me rritje relativisht moderate.
Pavarësisht përqindjeve të rritjes, vendimtare për qytetarët mbeten shumat absolute që paguhen çdo muaj nga xhepi i tyre. Në këtë drejtim, kantoni Zug mbetet më i liri në të gjithë vendin. Në fillim të këtij viti, tarifat në Zug pësuan një ulje prej 14,7 për qind. Kjo ulje nuk erdhi si rezultat i ndonjë uljeje të kostove në sistemin shëndetësor lokal, por sepse vetë kantoni i Zug-ut ka vendosur të marrë përsipër pothuajse të gjitha kostot spitalore për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke shfrytëzuar mjetet e veta financiare shtesë për të lehtësuar drejtpërdrejt barrën mbi popullsinë.