Lamine Yamal vazhdon të shkruajë histori. Talenti i Barcelonës shkëlqeu sërish me fanellën e Spanjës, duke thyer disa rekorde dhe duke konfirmuar statusin e tij si një prej talenteve më të spikatura të futbollit evropian.
Yamal shënoi dy gola dhe asistoi një tjetër në fitoren bindëse 4-1 të Spanjës ndaj Kroacisë të martën mbrëma në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”, në kuadër të ndeshjes së dytë të Grupit 3 të Ligës A në Ligën e Kombeve.
Sipas statistikave të Stats du Foot, kjo ishte hera e parë në karrierën e tij që Yamal realizoi dhe asistoi në të njëjtën ndeshje me fanellën e kombëtares spanjolle.
Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga Mister Chip, 19-vjeçari u bë lojtari më i ri në historinë e Spanjës që shënon të paktën dy gola dhe regjistron një asistim në një ndeshje. Ai e arriti këtë në moshën 19 vjeç e 78 ditë.
Raul renditet pas tij, pasi e kishte arritur të njëjtën statistikë në moshën 21 vjeç e 273 ditë.
Sipas Stats du Foot, Yamal u bë gjithashtu lojtari më i ri evropian që arrin kuotën e 10 golave me kombëtaren A që nga danezi Harald Nielsen, i cili e kishte arritur këtë shifër më 26 gusht 1960, në moshën 18 vjeç e 10 muaj.
Por statistikat e yllit të Barcelonës nuk përfundojnë këtu. I njëjti medium francez vëren se Yamal ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 18 gola në tetë ndeshjet e tij të fundit me klubin dhe kombëtaren, me 11 gola dhe shtatë asistime.
Yamal kryeson gjithashtu renditjen e lojtarëve me kontributet më të shumta në gola në Ligën e Kombeve deri më tani, pasi ka marrë pjesë drejtpërdrejt në katër gola.