Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, ka reaguar lidhur me debatin për Gjykatën Speciale dhe simbolikën e uniformës së UÇK-së, duke theksuar se kjo e fundit mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës historike shqiptare.
“Uniformën e UÇK-së e kemi në zemër, kudo që jemi, në çdo cep të botës. Ajo përfaqëson pjesën më të rëndësishme të historisë dhe kujtesës së shqiptarëve”, ka shkruar Baloku. Duke iu referuar një mesazhi për kryeministrin Albin Kurti, deputeti i LVV-së është shprehur se uniforma e UÇK-së nuk duhet t’i dërgohet atij, duke argumentuar se “ai ishte pjesë e saj dhe e njeh mirë, krah për krah me Adem Demaçin”.
Baloku ka drejtuar vëmendjen te ata që, sipas tij, votuan për themelimin e Gjykatës Speciale, duke shkruar:
“Uniformën dërgojani atyre që votuan për Gjykatën Speciale, që t’ua rikujtoni çfarë vendimi morën dhe çfarë pasojash solli ai veprim.” Në përmbyllje të reagimit, deputeti i LVV-së ka theksuar: “Gjykatën Speciale nuk ua solli Albini, atë e gjeti në mesin tuaj.”