Nga Bota
3 October 2026
Projektligji për Serbinë dorëzohet në Senatin amerikan - parashihen sanksione për destabilizim të Ballkanit

Një projektligj për Serbinë, i hartuar nga senatorë të të dyja partive kryesore amerikane, është dorëzuar në Senatin e Kongresit të SHBA-së për shqyrtim.

Sipas Radio Evropa e Lirë, nisma synon, ndër të tjera, të mbështesë sundimin e ligjit dhe funksionimin e pavarur të institucioneve.

Projektligjin e kanë paraqitur së bashku senatori republikan Chuck Grassley dhe senatori demokrat Richard Blumenthal.

Në faqen e Senatit shihet se projektligji është futur në procedurë, ndërsa teksti i plotë i tij ende nuk është publikuar.

Që një projektligj të miratohet në Kongresin amerikan, ai duhet të kalojë fillimisht në të dyja dhomat, Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, dhe më pas duhet të nënshkruhet nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Në fund të gushtit, një projektligj për Serbinë ishte dorëzuar në Dhomën e Përfaqësuesve nga kongresmeni republikan Joe Wilson, i cili gjatë muajve të fundit ka kritikuar vazhdimisht autoritetet serbe, dhe demokrati Bill Keating.

“U jam mirënjohës senatorëve Grassley dhe Blumenthal që e kanë paraqitur projektligjin ‘Serbia’ në Senat. Regjimi i (Aleksandar) Vuçiqit po lufton me të gjitha forcat për të qëndruar në pushtet. Zgjedhjet në Serbi duhet të jenë të lira dhe të drejta”, shkroi Wilson në rrjetin X.

Në projektligjin e paraqitur nga Wilson dhe Keating, propozohet që SHBA-ja të vendosë sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj aktorëve që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe ndaj personave që rrezikojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të ndonjë zone apo shteti në rajon.

Në dokument thuhet se në Serbi ka pasur “prapambetje serioze në fushën e demokracisë”, duke iu referuar edhe Raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë për vitin 2025.

Gjithashtu propozohet që SHBA-ja të ngrijë dialogun strategjik me Serbinë nëse në këto bisedime nuk adresohen çështjet që lidhen me zgjedhjet e lira dhe të drejta, si dhe marrëdhëniet e Beogradit me Pekinin dhe Moskën.

Nëse Departamenti amerikan i Shtetit nuk do t’i ndërmerrte këto hapa, sipas projektligjit, Kongresi – i cili ka kompetenca mbi buxhetin federal – nuk duhet t’ia miratojë fondet për funksionimin e tij.



Të ndryshme
Më shumë
Mickoski: Për zjarrin në Tetovë duhet të ketë përgjegjësi16 September 2021
Sot lirohen nga spitali 26 të lënduar në aksidentin në Kroaci, pritet kthimi i tyre26 July 2021
Arrestohen në Durrës dy persona të kërkuar nga Maqedonia e Veriut, operacioni “Fury” në bashkëpunim me Interpol-in11 July 2026