Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar seancë të Kuvendit sot, 3 tetor, për votimin e ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale në dy lexime, shkruan Reporteri.net.
Kërkesa e tyre vije pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten opinionin lidhur me iniciativën e PDK-së për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar që procedura parlamentare të nisë menjëherë dhe që projektligji të trajtohet e të votohet në të dy leximet.
Ajo ka thënë se dërgimi nga Qeveria në Kuvend i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara është një hap i rëndësishëm, duke kërkuar që procedura të nisë sot.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar ajo në Facebook.
Musliu-Shoshi ka theksuar se, paralelisht me këtë, Kosovës i duhet një strategji e koordinuar juridike dhe diplomatike, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe për mbrojtjen e së vërtetës për luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Nëse vendi shkon në zgjedhje pa e përfunduar këtë proces, rrezikojmë ta pamundësojmë mbështetjen institucionale që ua kemi borxh çlirimtarëve, gjakut të derdhur dhe ëndrrës sonë për liri. Kjo çështje është mbi partitë dhe mbi kalkulimet politike. Këtu nuk ka pozitë e opozitë. Ka interes shtetëror”, shkroi ajo.
Edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të përshpejtojë procedurat për shqyrtimin e ligjit, duke vendosur si afat orën 12:00.
Musliu ka deklaruar se deri në këtë orë, projektligji duhet të trajtohet në të gjitha komisionet përkatëse dhe të kalojë në lexim të parë.
“Tani duhet të fillojë numërimi mbrapsht për Kuvendin. Më së largu deri në orën 12:00, Kuvendi duhet ta trajtojë Ligjin në të gjitha komisionet përkatëse dhe ta kalojë në lexim të parë.”
Ajo ka bërë thirrje që procesi të mos zvarritet më tej, duke theksuar se, sipas saj, nuk ka më hapësirë për arsyetime apo kalkulime politike.
“Deri në orën 12:00 duhet të dihet nëse Kuvendi do ta kryejë përgjegjësinë e tij apo do ta mbajë peng këtë proces. Ora po ecën. Tash është radha e Kuvendit të veprojë”, ka thënë Musliu.
Edhe nga partia Aleanca, kanë kërkuar që sot të thirret seanca e Kuvendit.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka bërë thirrje që seanca të mbahet sot dhe që ndryshimet ligjore të votohen.
“Thirreni more seancën sot menjëherë! Ta votojmë ligjin që e kërkuan tash e sa 17 ditë qytetarët në protestë! Çka po prisni?”, ka shkruar Ramadani. /Reporteri.net/.