Nga Rajoni
3 October 2026
Dënimi maksimal 15 vjet, vuajtja e burgut në Kosovë, të dënuarit mund të falen nga Presidenti i Kosovës

Partia Demokratike  Kosovës ka ndërmarrë një iniciativë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës. Ky veprim është ndërmarrë pas vendimit të Speciales për dënimin e ish-krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Gazeta Express

Në Projektligjin e siguruar nga Gazeta Express, një prej ndryshimeve themelore që propozohet është lartësia e dënimit maksimal nga Dhomat e Specializuara e që sipas ndryshimit saktësohet deri në 15 vjet burg.

Në Nenin 15 të këtij Projektligji thuhet se Neni 44, paragrafi 1 i Ligjit për Dhomat e Specializuara zëvëndësohet me tekstin në vijim.

“Dhomat e Specializuara mund t’i shqiptojnë personit të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) vjet, në përputhje me parimin e zbatimit të ligjit më të favorshëm (lex mitior).“, thuhet në Nenin 15 të Projektligjit.

Në Nenin vijues të Projektligjit thuhet se dënimi i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës vuhet në territorin e Republikës së Kosovës.

“Neni 50 i Ligjit Nr. 05/L-053 ndryshohet si në vijim:

“Dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Institucioni konkret korrektues caktohet nga autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e dënimit, kushtet e sigurisë dhe rrethanat individuale të personit të dënuar.“”, thuhet në dokumenin e siguruar nga Gazeta Express.

Një element tjetër në Projektligj është çështja e faljes nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Sipas ndryshimeve të propozuara nga PDK, personat që janë subjekt i aktgjykimeve të formës së prerë të Dhomave të Specializuara të Kosovës mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

“Neni 51 i Ligjit Nr. 05/L-053 ndryshohet si në vijim:

“Pavarësisht dispozitave të Ligjit nr. 03/L-101 për Faljen, personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Kriteret, kushtet dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin nr. 03/L-101 për Faljen zbatohen edhe për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara.“”, thuhet tutje në Projektligjin e propozuar nga PDK.

 



Të ndryshme
Më shumë
OBRM-PDUKM kërkon dorëheqjen e Filipçes në Kuvend, Talat Xhaferi kthen kërkesën14 September 2021
Presidentët e SHBA-së ndryshojnë, Putin mbetet16 June 2021
Milloshoski akuza Ademit: Ministër i dështuar, shkatërruat sistemin arsimor30 August 2020