Nga Rajoni
4 October 2026
Alta Azizi Haluci: Gratë shqiptare, urë mes trashëgimisë, lidershipit dhe së ardhmes

Më 2 dhe 3 tetor, Vlora u bë mikpritëse e Konferencës V Mbarëkombëtare, Rajonale dhe Ndërkombëtare “Imazhi i Grave dhe Vajzave Shqiptare: Vlerë, Lidership dhe Ndikim drejt Bashkimit Evropian”, e organizuar nga Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake të Shqipërisë (AKKB), nën drejtimin e kryetares së saj, Dr. Alta Azizi Haluci dhe dhe të sekretares së përgjithshme të AKKB-së, Marina Duhani. Aktiviteti mblodhi në një hapësirë të përbashkët gra të afirmuara nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva dhe diaspora shqiptare. Konferenca u fokusua te roli dhe kontributi i grave shqiptare në fusha të ndryshme të jetës publike, politike, akademike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore, duke vënë në qendër lidershipin, përvojën dhe përgjegjësinë për përgatitjen e brezit të ri.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësuese të institucioneve politike dhe publike, akademike, sipërmarrëse, studiuese, pedagoge, artiste, shkrimtare, artizane dhe gra të angazhuara në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe përfaqësuese të diasporës.

Dr. Alta Azizi Haluci, Kryetare e Aleancës Kombëtare të Këshilltareve Bashkiake të Shqipërisë në fjalën e saj u ndal te rëndësia e bashkëpunimit mes grave shqiptare nga trevat dhe diaspora dhe te nevoja që përvoja e brezit të sotëm t’u shërbejë vajzave që vijnë pas tyre.

Duke iu referuar rrugëtimit të këtij organizimi, Azizi Haluci theksoi se takime të tilla kanë krijuar mundësi për të njohur histori dhe kontribute që shpesh mbeten jashtë vëmendjes publike. “Vlera nuk fillon kur të sheh publiku.

Ajo ekziston shumë kohë përpara se publiku të të shohë”, u shpreh ajo. Në fokus të fjalës së saj ishte edhe përfaqësimi i grave në vendimmarrje.

Sipas Azizi Halucit, prania e grave në politikë dhe institucione duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe me krijimin e mundësive për gratë e tjera.

“Për mua, aty fillon lidershipi. Jo te vendi ku qëndron, por te hapësira që krijon për të tjerët”, tha ajo.

Konferenca trajtoi gjithashtu raportin mes identitetit shqiptar, trashëgimisë kulturore dhe perspektivës evropiane, duke e vendosur rolin e grave si një prej faktorëve të rëndësishëm në këtë proces.

Në këtë kontekst, Azizi Haluci solli si simbol të bashkimit dhe shumëllojshmërisë së zërave shqiptarë Këngën Labe dhe polifoninë, duke theksuar se bashkimi nuk kërkon që zërat të bëhen të njëjtë, por që të krijojnë harmoni së bashku.

“Bashkimi i vërtetë nuk është heshtja e zërave të ndryshëm. Është çasti kur ndryshimi bëhet harmoni”, u shpreh ajo.

Mesazhi kryesor i konferencës në Vlorë ishte nevoja për të kthyer përvojën dhe arritjet e grave shqiptare në ura bashkëpunimi, mentorimi dhe mundësish për brezin e ri, duke forcuar lidhjet mes grave nga Shqipëria, trevat shqiptare dhe diaspora.

Aktiviteti u shoqërua edhe me diskutime mbi trashëgiminë, dijen, sipërmarrjen, përfaqësimin publik dhe rolin e grave në ndërtimin e së ardhmes, duke e kthyer Vlorën për dy ditë në një pikëtakim të grave shqiptare nga hapësira të ndryshme.



Të ndryshme
Më shumë
Taravari e Ahmeti së bashku në zgjedhjet lokale, përfshi dhe listat për këshilltarë30 July 2025
E papritur! Lind çifti i ri nga ‘Përputhen’ jashtë programit23 August 2021
Osmani: Oferta politike e BDI-së është e vetmja me program 7 July 2020