Oda Ekonomike e RMV-së do t’i propozojë Ministrisë së Ekonomisë propozim ligj për shkurtimin e festave apo ditëve jo pune në vend, kanë bërë të ditur nga oda ekonomike e RMV-së. Aneta Dimovska , projekt menaxhere e Odës, deklaroi se RMV është ndër vendet më të larta në nivel evropian për sa i përket ditëve jopune. Ajo tha se bizneset vazhdimisht janë ankuar dhe kanë njoftuar se kjo është në dëm të ekonomisë së vendit. Dimovska theksoi se propozimi nuk parashikon heqjen e festave ekzistuese, por rishikimin e të drejtës për shfrytëzimin e ditëve jopune.
ANETA DIMOVSKA, MENAXHERE PROJEKTUESE E ODËS EKONOMIKE
“Propozimi ynë nuk do të jetë heqja e festave të caktuara, por rishikimi i të drejtave që burojnë nga festat e përcaktuara në këtë mënyrë, në vend të kërkesës për heqjen e festimit të një pjese të festave. Madje edhe tani, kjo mënyrë e organizimit të sistemit mund të konsiderohet si një sistem që nuk është në përputhje me Kushtetutën, pasi në njëfarë mënyre i vendos qytetarët, pjesëtarë të grupeve të ndryshme, në pozitë të pabarabartë”.
Sipas saj, në kontratat e punës, të punësuarit do të zgjedhin se cilat festa do t’i shfrytëzojnë nga grupi i festave që nuk vlejnë për të gjithë qytetarët. Ajo thotë se me këtë ligj do të kenë të drejtë t’i shfrytëzojnë dy nga festat.
ANETA DIMOVSKA MENAXHERE PROJEKTUESE E ODËS EKONOMIKE
“Propozimi do të jetë, nga të gjitha këto festa që nuk vlejnë për të gjithë, personi, gjatë punësimit dhe përmes kontratës së punës, të përcaktojë cilat nga festat e përmendura do t’i festojë. Në këtë mënyrë do të përcaktoheshin dy ditë shtesë, me çka numri i përgjithshëm i ditëve jopune do të reduktohej indirekt në 13 ditë jopune. Si zgjidhje të dytë, e cila do t’i dorëzohet Ministrisë, Oda propozon që festat që bien të dielën të mos transferohen si ditë jopune të hënën”.
Dimovska theksoi se iniciativa buron nga vërejtjet shumëvjeçare të punëdhënësve, të cilët konsiderojnë se sistemi aktual krijon vështirësi organizative dhe financiare. Sipas analizës së Odës, e cila ka përfshirë 36 ekonomi evropiane, në rreth 70% të tyre numri i festave shtetërore dhe ditëve jopune varion nga 11 deri në 14. Ndërkaq RMV numëron 16 festa.