Nga Bota
24 October 2026
Bordi i Paqes konfirmon rolin e Kosovës në Gaza, Shqipëria i bashkohet misionit me mbështetje për sigurinë

Përfaqësuesi i Lartë për Gazën në kuadër të Bordit të Paqes, Nickolay Mladenov, ka mirëpritur marrëveshjen e Shqipërisë me Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, e cila parasheh mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe kapacitete për planifikimin e operacioneve në kuadër të misionit në Gaza.

Në një status në X, Mladenov ka falënderuar Shqipërinë për këtë kontribut, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së saj, së bashku me atë të Marokut dhe Kosovës, për avancimin e sigurisë dhe qeverisjes në Gaza.

Sipas Mladenovit, kontributi i këtyre vendeve do të jetë thelbësor për përparimin e përpjekjeve humanitare, sundimin e ligjit dhe rindërtimin e Gazës.

Ai ka theksuar se këto përpjekje do të zhvillohen në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës dhe Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“E mirëpres marrëveshjen e Shqipërisë me Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, e cila ofron mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe kapacitete për planifikimin e operacioneve për misionin në Gaza”, ka shkruar Mladenov, duke e falënderuar Shqipërinë për këtë kontribut të rëndësishëm.

Lidhur me marrëveshjen ka reaguar edhe Bordi i Paqes.

Sipas njoftimit të publikuar nga Bordi i Paqes, kontributi shqiptar do t’i shtohet atij të Kosovës dhe Marokut, me synimin për të avancuar sigurinë, qeverisjen, ndihmën humanitare, sundimin e ligjit dhe rindërtimin e Gazës.

“Marrëveshje e rëndësishme mes Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe Shqipërisë, e cila siguron mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe kapacitete për planifikimin e operacioneve të misionit në Gaza. Kontributi i Shqipërisë i shtohet atij të Marokut dhe Kosovës dhe do të jetë thelbësor për avancimin e qeverisjes, sigurisë, përpjekjeve humanitare, sundimit të ligjit dhe rindërtimit të Gazës.”, thuhet në njoftimin e Bordit të Paqes në “X”.

Angazhimi i Kosovës në këtë mision ishte formalizuar më herët. Më 7 shtator 2026, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, nënshkroi marrëveshjen e pjesëmarrjes me komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, gjeneralmajorin Jasper Jeffers. Marrëveshja rregullon aspektet teknike të angazhimit të kontingjentit të FSK-së në Gaza.

Vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në këtë mision ishte miratuar edhe nga Kuvendi i Kosovës në prill, ndërsa autoritetet kosovare e kanë paraqitur pjesëmarrjen si kontribut në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Ndërkaq, me marrëveshjen e saj, Shqipëria do të ofrojë mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe kapacitete për planifikimin e operacioneve të misionit. Kështu, kontributi shqiptar do t’i shtohet atij të Kosovës dhe Marokut në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.

Sipas këtij institucioni, kontributet e Shqipërisë, Kosovës dhe Marokut do të mbështesin përparimin në fushën e qeverisjes, sigurisë, ndihmës humanitare, sundimit të ligjit dhe rindërtimit të Gazës.

Marrëveshja u nënshkrua në ceremoninë e mbajtur në Tiranë, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, Jasper Jeffers, ambasadori amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, si dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë e përfaqësues të Grupit të Punës për Gazën.



Të ndryshme
Më shumë
Papa Françesku në Kataloni përmend Kosovën, thotë se Spanja duhet ta merr shembull 2 September 2021
Hashim Thaçi shpallet fajtor në Hagë, dënohet me 25 vjet burgim16 September 2026
Xhaçka: Njohja reciproke Kosovë-Serbi, çelësi i ndërtimit të së ardhmes në Ballkanin Perëndimor27 October 2021