Nga Rajoni
31 October 2026
Profesori amerikan Alon Ben-Meir reagon ashpër për vrasjen e Arlinda Zekajt: Çfarë turpi për një vend që luftoi kaq fort për lirinë

Profesori amerikan Alon Ben-Meir ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Kosovë, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e grave nga dhuna në familje.

Në një postim në Facebook, Ben-Meir ka rikujtuar sakrificat e popullit të Kosovës gjatë luftës për liri, duke theksuar se është e turpshme që, edhe pas gjithë atyre vuajtjeve, gratë vazhdojnë të vriten në shtëpitë e tyre, ndërsa institucionet që duhet t'i mbrojnë dështojnë vazhdimisht, shkruan Telegrafi.

Ai ka përmendur edhe shifrën prej tetë grave që, sipas postimit të tij, janë vrarë si pasojë e dhunës në familje vetëm gjatë këtij viti.

Duke iu referuar rastit të Arlinda Zekajt, profesori amerikan ka shkruar se ajo u kishte kërkuar mbrojtje autoriteteve, duke i paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Sipas tij, vetëm tri ditë pas apelit të saj të fundit, Arlinda u vra me sëpatë nga kunati i saj, në rrethana që lidhen me përpjekjen e saj për ta marrë sërish të birin, pasi ai ishte marrë nga familja e bashkëshortit.

Ben-Meir e ka cilësuar këtë rast si turp kombëtar për Kosovën, duke theksuar se një vend që ka luftuar aq shumë për lirinë e tij nuk duhet të lejojë që grave t'u mohohet e drejta më themelore, ajo për të jetuar.

“Një vend që luftoi për lirinë e vet nuk duhet të pranojë kurrë një realitet në të cilin grave të tij u mohohet liria më themelore nga të gjitha: e drejta për të jetuar”, ka shkruar profesori amerikan.

Reagimi i Ben-Meir vë në pah edhe një herë shqetësimin për sigurinë e grave në Kosovë dhe përgjegjësinë e institucioneve për të reaguar me kohë ndaj rasteve të dhunës dhe kërkesave për mbrojtje./Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Kush e ka emërtuar Lekun?18 July 2020
Memorandum për kulturën dhe shkencën, Presheva forcon lidhjet me Akademinë “Rrënjët Tona”28 February 2026
Arben Ziberi shkarkohet nga pozita e drejtorit të Qendrës për Shëndet Publik26 June 2020