Nga Vendi
6 November 2026
Teuta Arifi: Demokracia nuk duhet të ngatërrohet me demografinë, barazia është themeli i shtetit

Ish-zëvendëskryeministrja e Maqedonisë së Veriut dhe ish-nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, ka reaguar përmes një shkrimi me titull “Mbi demografinë dhe demokracinë”, ku trajton raportin mes barazisë qytetare, demokracisë dhe diskursit politik në vend, duke u ndalur veçanërisht te komentet për fitoren e kandidatit shqiptar Arkin Jahiu në Komunën e Bërvenicës.


Duke marrë si pikënisje fjalimin historik të Martin Luther Kingut kundër diskriminimit racor, Arifi thekson se një shoqëri demokratike duhet t’i vlerësojë qytetarët për karakterin dhe aftësitë e tyre, e jo për përkatësinë etnike, gjuhësore apo fetare.


Në argumentimin e saj, ajo sjell edhe shembullin e Abdul El-Sayed, i cili fitoi zgjedhjet për Senatin amerikan në shtetin e Miçiganit, pavarësisht sulmeve dhe etiketimit për origjinën dhe përkatësinë e tij fetare. Sipas Arifit, vota e qytetarëve amerikanë dëshmoi se demokracia duhet të jetë më e fortë se paragjykimet dhe përjashtimi.


Duke e lidhur këtë shembull me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, Arifi kritikon deklaratën e kryeministrit për fitoren në Bërvenicë, e cila u interpretua si fitore e demografisë. Ajo vlerëson se një qasje e tillë e zhvendos debatin nga e drejta demokratike e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre drejt një diskursi përjashtues mbi përkatësinë etnike.


Sipas saj, prej fillimit të viteve ’90, kërkesa e shqiptarëve për barazi dhe përfaqësim të drejtë është trajtuar shpesh si çështje demografike, duke ushqyer frikën nga ndryshimet etnike dhe duke vënë në pikëpyetje të drejtat e barabarta të qytetarëve.


“Koncepti demografik në diskursin politik jo vetëm që është përjashtues, por edhe i tejkaluar”, shkruan Arifi, duke argumentuar se shteti dhe institucionet e tij duhet t’u përkasin të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Në përfundim, ajo thekson se tradita politike shqiptare e ka mbështetur kërkesën për barazi mbi parimet demokratike dhe jo mbi numrat, duke rikujtuar mesazhin e Martin Luther Kingut se pabarazia në një vend përbën kërcënim për barazinë kudo.


Shkrimin e saj, Teuta Arifi e përmbyll me një mesazh të qartë: demokracia është mekanizmi që garanton barazinë dhe të drejtën e çdo qytetari për të qenë pjesë e barabartë e shtetit.
Në zgjedhjet e 1 nëntorit në Bërvenicë, Arkin Jahiji fitoi me 4.442 vota, kundrejt 4.177 votave të kundërkandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski. Fitorja e tij u konfirmua edhe pas shqyrtimit të ankesës zgjedhore.  Ndërsa në SHBA, fitorja e Abdul El-Sayed në zgjedhjet për Senatin e Miçiganit u konfirmua nga mediat më 4 nëntor 2026.



Të ndryshme
Më shumë
Ted Kopliku zgjidhet drejtues i Departamentit “Brain Gain” në Partinë Demokratike-Shqipëri27 October 2025
Maqedoni, numri i hospitalizimeve tejkaloi shifrën prej 1000 – virusi nuk zgjedh moshë31 August 2021
“Urime Shqipëri!”/ Marta Kos përgëzon Ramën për hapjen e të gjithë kapitujve, kryeministri i jep dhuratën e veçantë17 November 2025