Kompania Anthropic ka prezantuar një funksion të ri për chatbotin e saj Claude, të quajtur “Financat personale”, i cili u mundëson përdoruesve të lidhin drejtpërdrejt llogaritë bankare dhe kartelat e kreditit me inteligjencën artificiale, për të përcjellë dhe analizuar në detaje shpenzimet e tyre.
Përmes integrimit me platformën Plaid, Claude po pozicionohet si një asistent i avancuar financiar, duke iu bashkuar kështu ChatGPT-së së OpenAI, e cila një mundësi të ngjashme e kishte prezantuar në maj të këtij viti.
Në fund të muajit, përdoruesit mund ta pyesin chatbotin se ku i kanë shpenzuar paratë. Inteligjenca artificiale do të mbledhë të dhënat nga të gjitha llogaritë e lidhura dhe do t’i ndajë shpenzimet në kategori, si ushqimi, faturat dhe shërbimet komunale.
Përveç pasqyrës së shpenzimeve, Claude mund të identifikojë edhe probleme të mundshme, si tërheqjet e dyfishta të parave, tarifat e fshehta bankare apo rritjen graduale të çmimeve të abonimeve mujore. Ai gjithashtu mund të shpjegojë me gjuhë të thjeshtë termat ekonomikë që përdoruesit nuk i kuptojnë.
Anthropic thekson se ky funksion punon vetëm në modalitetin e leximit. Kjo do të thotë se inteligjenca artificiale nuk mund të transferojë, shpenzojë apo investojë para në mënyrë të pavarur.
Ndërkaq, ndërfaqja nuk përmban reklama apo rekomandime për produkte bankare.
Duke marrë parasysh shqetësimet për sigurinë e të dhënave të ndjeshme, kompania sqaron se chatbotit i lejohet qasje vetëm në një grup të kufizuar informacionesh. Këtu përfshihen emri i bankës, lloji i llogarisë, katër shifrat e fundit të kartelës, bilanci i disponueshëm dhe historiku i transaksioneve për dy vitet e fundit.
Kompania garanton gjithashtu se bisedat private dhe pyetjet rreth financave nuk do të përdoren për trajnimin e mëtejshëm të modeleve të saj të inteligjencës artificiale.
Funksioni i ri do të jetë në dispozicion gjatë kësaj jave, në fazën testuese, për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara që kanë abonimet me pagesë Pro, Max ose Ultra.