Këngëtarja e njohur shqiptare, Jonida Maliqi, ka ndarë një rrëfim emocional për djalin e saj, Danin, i cili është diagnostikuar me çrregullim të spektrit të autizmit, duke folur hapur për sfidat, paragjykimet dhe përparimin e tij ndër vite.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Maliqi ka treguar për rrugëtimin e të birit, vështirësitë me të cilat është përballur si nënë, por edhe për përvojën e dhimbshme me psikologen që fillimisht e kishte vlerësuar gjendjen e djalit.
Ajo u shpreh se mëmësia e ka bërë të zbulojë një forcë që nuk e kishte imagjinuar se e posedonte, duke theksuar se Dani ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si e sheh jetën.
“Nuk e kam imagjinuar asnjëherë që kisha një forcë kaq të madhe, nuk e dija se do të çaja malet për të. Ai më ka përsosur si qenie. Është adoleshent, kemi pasur rrugëtim të bukur me ulje dhe ngritje. Më kishin thënë se adoleshenca do të ishte e vështirë, por falë Zotit ai ka pasur shumë progres. Merr dashurinë e prindërve dhe gjyshërve dhe të gjithë jemi aty për të”, rrëfeu këngëtarja.
Maliqi tregoi se që në fillim kishte vërejtur se djali i saj zhvillohej ndryshe nga fëmijët e tjerë, por pranimi i situatës para të tjerëve kishte qenë një proces i vështirë.
Ajo kujtoi një përvojë të hidhur nga fundi i vitit 2015, kur ishte drejtuar te një psikologe për të kërkuar ndihmë dhe orientim. Sipas rrëfimit të saj, pas vetëm gjysmë ore konsultimi, kishte marrë komente të rënda lidhur me aftësitë e saj si prind dhe të ardhmen e djalit.
Psikologia, sipas Maliqit, i kishte thënë se Dani nuk do të fliste kurrë dhe nuk do të arrinte të socializohej.
Kjo përvojë, siç tregoi ajo, kishte qenë një goditje e madhe emocionale për të dhe familjen e saj. Më pas, vendosën të kërkonin ndihmë në një qendër tjetër, atë të Liri Berishës, ku Dani u trajtua me mbështetjen e një ekipi prej pesë mjekësh.
Sot, sipas këngëtares, rezultatet e këtij rrugëtimi janë të dukshme: Dani flet dy gjuhë dhe ndjek shkollën.
Jonida nuk i fshehu kritikat ndaj psikologes së parë, Anjeza Dishnica, duke e cilësuar të papranueshme mënyrën se si një profesionist shëndetësor komunikon me prindërit për gjendjen dhe të ardhmen e fëmijës së tyre.
“Turp të kesh, sepse një prindi, sido që të jetë fëmija i vet, nuk i komunikohet në këtë mënyrë. Ishte mënyra më bastarde e mundshme, e bërë për më tepër nga një mjek”, deklaroi ajo.
Gjatë intervistës, këngëtarja foli edhe për raportin me ish-bashkëshortin dhe procesin gjyqësor pas ndarjes së tyre.
Ajo shpjegoi se fillimisht kishte dëshiruar që gjithçka të zgjidhej me marrëveshje dhe larg vëmendjes publike, në mënyrë që çështjet familjare të mbeteshin private mes saj, Danit dhe babait të tij.
Megjithatë, sipas saj, procesi mori një drejtim tjetër dhe rreth dy vjet më parë çështja u bë publike, duke e detyruar të përballej edhe me vëmendjen e mediave.
Maliqi tha se i ka lënë çështjet në duart e drejtësisë, pas një periudhe të gjatë përpjekjesh, por theksoi se prioriteti i saj i vetëm mbetet mirëqenia e të birit.
“Djali im është epiqendra dhe nuk ka munguar asnjëherë komunikimi sa i përket djalit. Jam munduar gjithnjë të gjej gjuhën e komunikimit dhe nuk e kisha marrë me mend kurrë që të flisja sot për këtë. Shpresoj që një ditë të gjejmë gjuhën e duhur dhe t'i hapim rrugë një zgjidhjeje”, u shpreh ajo.
Në fund, Jonida la të kuptohet se nuk do të hezitojë të flasë publikisht nëse mendon se të drejtat e djalit të saj cenohen, duke theksuar se çdo vendim dhe përpjekje e saj do të vazhdojë të ketë në qendër Danin.