Nga Vendi
2 September 2020
Maqedonia e Veriut pret që në dhjetor të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE

Maqedonia e Veriut pret që në dhjetor të nisë negociatat me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe paralelisht me këtë proces të vazhdojë edhe me reformat që janë të domosdoshme për arritjen e synimit që vendi të bëhet pjesë e unionit.

Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov duke prezantuar agjendën e qeverisë sa i përket integrimit, por edhe raporteve me shtetet fqinje.

“Në periudhën e ardhshme ne do të përqendrohemi në nisjen e bisedimeve me BE-së dhe besoj se kjo do të ndodhë gjatë kryesimit gjerman me unionin për të shtyrë përpara këtë proces. Besoj se kjo do të ndodh deri në fund të vitit apo në muajin dhjetor. Paralelisht me këtë, ne këtu duhet të vazhdojmë me procesin e reformave ndërsa para nesh kemi edhe detyrime tjera që dalin nga metodologjia e re për anëtarësim”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Dimitrov.

Ai është pyetur edhe lidhur me qëndrimin e Bullgarisë apo gjasat që ky vend të bllokojë procesin e integrimit me kushtëzimet për çështjen e gjuhës maqedonase dhe prejardhjes etnike të disa personaliteteve nga e kaluara. Dimitrov tha se nuk beson se Sofja do të bllokojë procesin pasi nuk do të kishte siç tha, asnjë përfitim nga një veprim i tillë.

“Çështja e vetpërcaktimit dhe vetdeklarimit në lidhje me popullin maqedonas, të maqedonasve që flasin gjuhën maqedone, nuk mund të jetë në kundërshtim me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, përfshirë të drejtën e deklarimit. Gjuha maqedonase është punë e jona dhe kjo çështje është e mbyllur. Bullgaria nuk mund të përfitojë nga komplikimi i të ardhmes evropiane të Maqedonisë Veriore, sidomos kur pason hapja e Evropës dhe kthimi i procesit të zgjerimit në agjendën e saj. Nuk do të jetë e lehtë, është një sfidë e madhe, por ne do të përballemi me këtë problem”, ka deklaruar Dimitrov.

Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë ndërkohë se Maqedonia e Veriut është e përcaktuar për të çuar deri në fund zbatimin e dy marrëveshjeve me fqinjët, atë me Bullgarinë për fqinjësi të mirë dhe Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit.

“Një nga prioritetet kryesore do të jetë raportet e fqinjësisë së mirë, me theks të veçantë të dy marrëveshjet. Është e qartë se kishim një ngecje në procesin e bisedimeve për shkak të pandemisë dhe procesit zgjedhor, që kufizoi komunikimin mes dy vendeve, por tani pas zgjedhjes së qeverisë së re pres që të rinisim të gjitha proceset mes dy vendeve por edhe më gjerë”, ka deklaruar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

Pavarësisht marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar më 2 gusht të vitit 2017 mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, Sofja ka vazhduar të kërcënojë Maqedoninë e Veriut, se në rast se nuk arrihet zgjidhje për gjuhën maqedone, të cilën e quan “gjuhë të kombinuar mes serbishtes dhe një dialekti të gjuhës bullgare”, atëherë do të bllokojë integrimin në BE. Mosmarrëveshje kanë edhe për disa personalitete historike, në veçanti për Goce Dellçevin, heroin e dy vendeve që ka luftuar kundër Perandorisë Osmane./REL



Të ndryshme
Më shumë
Ivanovska: Qeveria të heqë dorë nga angazhimi i “Bechtel dhe Enka” përmes “ligjit të veçantë” 3 July 2021
Kemi shumë të presim nga Ylli Limani29 July 2020
Ali Ahmeti fton liderët shqiptar: Të bashkuar jemi më të fortë!16 July 2020