Nga Vendi
30 August 2021
Ahmeti me porosi për opozitën shqiptare: Të kaluarën mos e harrojnë

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në intervistën për ABC News me gazetaren Linda Karadaku ka folur për situatën politike në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti komentoi edhe koalicionin e opozitarëve shqiptarë me VMRO-në, duke theksuar se dikur ai është akuzuar se ka qeverisur me “kriminelët”, ndërsa i kujton opozitës të mos e harrojnë të kaluarën. Kreu i BDI thotë se partitë e opozitës nuk duhet të bëjnë deklarata ekstreme, informon portali “tetova1”.

“Ne në vazhdimësi kemi qenë të interesuar që ky partneritet të jetë i shtuar sa më i dendur mes partive politike, pavarësisht se kujt ngjyre i përket. Ne parimisht kemi marrëveshje me Lidhjen Socialdemokrate, një marrëveshje shumë e dobishme për palët. Është interesi i BDI që në ato vende ku nuk mund të fitojmë të mbështesim partnerin, por me marrëveshje lokale. Ne në Shkup nuk mund ta fitojmë kryetarin dhe mbështesim kandidatin e partnerit, ashtu siç nuk mundet që në Tetovë të fitojë partneri. Është një marrëveshje parimore, ne jemi me partneritet edhe me parti politike shqiptare. Kemi edhe marrëveshje parimore. Mendoj që kjo është një zgjidhje e mirë”, ka thënë Ahmeti.

Sa i takon partive opozitare, ka thënë ai mirë është që ato komunikojnë, “por të kaluarën mos e harrojnë”, përcjell “tetova1”.

“Gati dhjetë vite më kanë lodhur mua, por e kanë lodhur dhe popullatën se si unë bashkëpunoj dhe bashkëqeveris me kriminelë siç është partia e VMRO-së, kështu që bëjnë mirë le të jetë kjo një shkollë që politika ditore të mos merret me deklarata dhe prononcime aq ekstreme që i kanë bërë tash e para dhjetë vitesh. Për interesa të politikave ditore ti tani kriminelët me të cilët isha unë ti sot i bën miq, unë nuk kam dhënë asnjë hapësirë të akuzoj parti politike dhe as drejtues për kriminalitet që të përfitoj për politika ditore. Do përpiqem të jem i hapur. Të denoncoj të keqen, sepse kështu mund të kemi një shoqëri të shëndoshë,” tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në intervistë madje ka dhënë qëndrimin e tij pro nismës “Ballkani i Hapur” ku shprehet se ky është një proces që mbështetet nga BE dhe SHBA, ndërsa e cilësoi moment të rëndësishëm për të afruar BE-në me SHBA-të.

“Çështja e ‘Ballkanit të Hapur’ është vazhdimësi e procesit të Berlinit. E mbështet edhe BE edhe SHBA dhe është si një moment i rëndësishëm për të afruar vendet në BE, sepse këto vende kanë specifika të ndryshme. Sigurisht duhet para një afrim dhe parapërgatitje për t’u anëtarësuar në BE. Nuk është temë që imponohet. Kosova i ka politikat e veta dhe sheh rreziqet e veta. Nuk është e imponueshme. Pasi të analizohet mirë nga autoritetet e Kosovës sepse është çështje e hapur. Është analizë që e do e bëjnë vendet përkatëse. Më pyetën disa mërgimtarë më thanë do na bëni prapë Jugosllavinë. Thashë më thoni sa pritet në kufi kur erdhën. Më thanë 5 orë pritën. U thashë kjo iniciativë është që mos prisni asnjë minutë. Nëse kjo marrëveshje i dëmton shqiptarët edhe mund të tërhiqesh nga marrëveshja”, tha Ahmeti.

Ai shton se ky proces nuk duhet të përkeqësojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Mendoj se ky proces nuk duhet të ndikojë në raporte të këqija mes Kosovës dhe Shqipëria. Shqipëria po i bën 109 vite pavarësi dhe eksperienca e një shteti matet nga lashtësia e një shteti. Mund të ndërtohet qëndrime të përbashkëta për tema madhore dhe të rëndësishme. Marrëdhëniet mes vendeve fqinje janë shumë të rëndësishme”, është shprehur ai.

Kreu i BDI-së, ndër të tjera është ndalur edhe tek dialogu Kosovë-Serbi. Ai thekson se i kupton mjaft mirë autoritetet e Kosovës, por nuk mund të ecet përpara me hasmëri shekullore. Sipas kreut të BDI, ka dy rrugë ose pajtimi ose vazhdimi me hakmarrje.

“Me Serbinë nuk them unë që është një temë aq e lehtë sepse Kosova akoma numëron njerëzit e zhdukur që nuk i ka gjetur dot. Mirëpo, me hasmëri shekullore nuk ecet përpara. Në fund të fundit edhe vetë Shqipëria në 1913 ka me mijëra njerëz të vrarë, Shqipëria e veriut është djegur. Ne na duhet një pajtim mes kombit shqiptar dhe kombit serb ose të vendosim që të hakmerremi dhe çka na sjell hakmarrja? Kemi dy rrugë, të tretë nuk ka, a do pajtohemi apo do e përsërisim edhe njëherë historinë dhe kush është më i fortë,” theksoi ai.



Të ndryshme
Më shumë
Ahmeti: Të flasësh pa menduar është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë12 July 2020
Alesia Bami mahnit edhe pa makiazh26 August 2020
Zaev në “Ekonomist”: Për ne, nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç të ardhmes së BE-së 9 July 2021