Nga Vendi
14 May 2025
BDI: Qeveria e Mickoskit po e largon Maqedoninë e Veriut nga BE-ja

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Qeverisë së re të udhëhequr nga Mickoski, duke e akuzuar atë për sabotim të procesit të integrimit evropian dhe për rrezikim serioz të së ardhmes euroatlantike të vendit.

Në një kumtesë për media, BDI vlerëson se megjithëse kryeministri Mickoski dhe bashkëpunëtorët e tij e shpallën anëtarësimin në Bashkimin Evropian si prioritet strategjik, në realitet janë “tërhequr krejtësisht nga dosja evropiane”.

“Jo vetëm që refuzuan në mënyrë absurde ndryshimet kushtetuese për disa pakica, por edhe vetë Kryeministri krenohet se qeveria e re ka arritur ta ‘mashtrojë’ Greqinë duke shkelur parimin Erga Omnes të Marrëveshjes së Prespës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
“Për më tepër, ai lavdërohet se gjithnjë e më shpesh po shmanget përdorimi i emrit zyrtar ‘Maqedonia e Veriut’”.

Sipas BDI-së, në vend të ndërtimit të konsensusit për integrimin evropian, qeveria ka zgjedhur një diskurs të brendshëm të tensionuar dhe histerik, që sillet rreth akuzave të ndërsjella për “tradhti”.

“Kush ka thënë ‘Veriut’, kush ka kërkuar ndryshime kushtetuese, kush është më ‘i pastër’ – janë këto temat që dominojnë retorikën politike”, thekson BDI, duke shtuar se në planin e jashtëm po krijohen tensione me fqinjët, Brukselin dhe qendrat vendimmarrëse evropiane.

Partia shqiptare kritikon edhe idenë për të kërkuar “garanci” nga BE, duke e cilësuar atë si një “qasje politike absurde”.

“Askush nuk e ka të qartë se çfarë garancish po kërkojmë, prej kujt, kush duhet t’i japë, kush i verifikon e kush i mbështet. Qeveria në mënyrë të qëllimshme po krijon një kontest të ri për emrin, për ta mbajtur vendin të izoluar dhe jashtë proceseve integruese”.

BDI shprehet se vendi ndodhet në izolim të thelluar diplomatik, pa vizita zyrtare nga aleatët tradicionalë, ndërsa po lidh “partneritete të diskutueshme me autokratë”, duke marrë financime nga burime të dyshimta dhe paralajmëruar hyrjen e bizneseve me “reputacion problematik”.

Në përfundim, BDI bën thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke deklaruar se:

“Qeveria aktuale e ka humbur legjitimitetin për të udhëhequr vendin drejt Bashkimit Evropian. Zgjidhja e vetme është krijimi i një platforme të re politike, me vizion të qartë evropian dhe respekt për dinjitetin e të gjithë qytetarëve”./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni: Nga shtatori infermiereve dhe teknikëve do t’u paguhet arsimi i lartë24 June 2021
Adelina publikon fotografi nga pushimet me bashkëshortin dhe djalin 28 August 2021
Dhoma e Mjekëve apelon qytetarët të denoncojnë mjekët që janë kundër vaksinimit25 August 2021