Nga Vendi
22 May 2025
BDI akuzon për punësime diskriminuese dhe monoetnike në filialin e CEMV-së në Strugë dhe Hidrocentralin në Dibër

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj punësimeve të fundit në filialin e Centraleve Elektrike të Maqedonisë së Veriut (CEMV) në Strugë dhe në hidrocentralin “Shpilje” në Dibër, duke i cilësuar ato si shembuj të qartë të diskriminimit etnik dhe përjashtimit të qytetarëve shqiptarë nga tregu i punës në sektorin publik.

Sipas deklaratës së BDI-së, në filialin “Drini i Zi” në Strugë janë angazhuar 23 persona me kontrata të përkohshme, të gjithë nga komuniteti maqedonas, ndërkohë që asnjë shqiptar nuk është përfshirë në këto punësime, pavarësisht përbërjes shumëetnike të rajonit dhe pranisë së madhe të shqiptarëve në këtë zonë.

Situata e ngjashme, theksojnë nga BDI, është përsëritur edhe në hidrocentralin “Shpilje” në Dibër, ku janë bërë tetë punësime të reja, sërish pa përfshirë asnjë qytetar shqiptar.

“Këto zhvillime dëshmojnë për një model të koordinuar dhe të qëllimshëm të diskriminimit institucional dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimeve të përfaqësimit të drejtë dhe barazisë në punësim, të garantuara me ligj dhe me Kushtetutë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia ka kritikuar ashpër edhe partnerët shqiptarë në Qeveri, duke i akuzuar për "bashkëpunim të heshtur" me strukturat që po kryejnë, sipas tyre, punësime monoetnike në përfitim të një partie të caktuar.

“Edhe më shqetësuese është heshtja dhe bashkëpunimi i heshtur i mbetjeve të VLEN-it në Qeveri, të cilët shohin punësimet monoetnike të VMRO-së, por nuk arrijnë të sigurojnë as një vend pune për popullin që pretendojnë ta përfaqësojnë”, vijon deklarata.

BDI u bën thirrje drejtuesve të CEMV-së dhe institucioneve përkatëse që të japin shpjegime publike dhe të ndërmarrin masa urgjente për korrigjimin e kësaj që e cilëson si një “padrejtësi të rëndë dhe të papranueshme”.

“Praktikat e punësimit në ndërmarrjet publike nuk guxojnë të kthehen në mjete të favorizimit etnik dhe klientelizmit partiak”, përfundon reagimi i BDI-së./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Presidenti Begaj në Vatikan për ceremoninë e inaugurimit të Papa Leoni XIV18 May 2025
Rrëfimi i 37-vjeçares që u maltretua nga burri: Qe 20 vjet m’ka rreh me stupc e shishe, ma ka ngul thikën disa herë22 June 2021
Regjistrohen 459 shkelje për mosmbajtje të maskës24 August 2020