Opozitarja LSDM ka prezantuar një paketë propozimesh ligjore me synim mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve, duke përfshirë uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 5%, reduktimin e akcizës me 4 denarë, heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe përgjysmimin e çmimeve të pikëpagesave rrugore.
Përfaqësuesi i LSDM-së, Jon Fërçkoski, deklaroi se nuk pret mbështetje nga shumica në pushtet, VMRO-DPMNE, duke theksuar se kjo parti nuk ka dhënë përgjigje për çështje që nuk i prekin drejtpërdrejt. Ai u shpreh, “Sinqerisht nuk pres asgjë nga shumica e DPMNE-së, deri më tani keni parë çfarë ka ndodhur me ligjin për pagën minimale, si dhe me mbështetjen për familjet e viktimave të Koçanit, por ne do të vazhdojmë të luftojmë për mbrojtjen e standardit të qytetarëve”.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE reagoi duke vënë në dyshim seriozitetin e nismës së LSDM-së, duke theksuar se propozimet duhej të ishin dorëzuar fillimisht në Kuvend dhe jo të prezantoheshin përmes konferencave për shtyp. Sipas tyre, ulja e akcizës me 4 denarë është e mundur vetëm në kushte të caktuara, si situata krize dhe rritje e çmimit të naftës mbi 1200 dollarë për ton, çka aktualisht nuk është rasti.
Ata shtuan se institucionet po e monitorojnë situatën dhe do të veprojnë në përputhje me lëvizjet e tregut, duke paralajmëruar se rritja e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë dhe në përkeqësimin e standardit jetësor.
Burimi: alsat.mk