Nga Vendi
29 May 2025
Gashi: Ligji për Përfaqësim të Drejt dhe Adekuat gati, pritet para pushimeve verore

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se Ligji për Përfaqësim të Drejt dhe Adekuat është drejt finalizimit dhe pritet të jetë gati për shqyrtim parlamentar përpara fillimit të pushimeve verore. Gashi njoftoi se aktualisht janë duke u zhvilluar konsultime me institucione relevante për të garantuar kushtetutshmërinë e ligjit.

“E kemi paralajmëruar disa herë, është një grup i punës i cili po punon dhe ligji është gati. Mirëpo, jemi në konsulta edhe me Gjykatën Kushtetuese edhe me Komisionin e Venecias, që të jemi të sigurt se ligji që do ta adoptojmë dhe votojmë të mos jetë i rrezikuar nga komponenta e kushtetutshmërisë,” tha Gashi.

Ai theksoi se synimi është që ligji të mos përballet me pengesa ligjore pas miratimit. “Duam të jemi të sigurt 100 për qind përpara se të hyjmë në proces, që të mos na ndodh të ketë parashtresa dhe të na bie ligji,” shtoi ai.

Gashi shprehu shpresën që ligji të arrijë në Kuvend brenda muajve të ardhshëm. “Shpresoj që brenda këtyre muajve do të jetë, uroj të jetë para pushimeve,” tha ai.

Sa i përket ndikimit të zhvillimeve politike në këtë proces, Gashi komentoi ndarjen politike me Aleancën për Shqiptarët dhe kryetarin e saj Arben Taravari, duke pranuar se ajo ka pasur ndikim në disa procese.

“Natyrisht, çdo lëvizje në shumicën parlamentare në aspektin politik, kur një subjekt largohet, ajo nuk ndodh për një moment dhe vala të tundohet të trazohet. Pastaj shqetësimet fillojnë dhe ka probleme e ngecje në disa elemente. Nuk e di saktë sa ka ndikuar direkt në përgatitjen e këtij ligji, por që ka pasur efekt në disa procese, natyrisht se ka pasur,” u shpreh Gashi./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
ASH: Institucionet gjyqësore vazhdojnë të jenë të politizuara29 June 2020
Ledina Çelo tregon linjat e bujshme të trupit me foto nga plazhi23 July 2021
I dashuri i aktores Adriana Matoshi mbush 22 vjet24 June 2021