Nga Vendi
29 May 2025
Komuna e Tetovës pezullon përkohësisht komisionin për emërimin e rrugëve – mbi 1100 propozime nga qytetarët mbeten në pritje

Me 27 vota pro dhe asnjë kundër, Këshilli i Komunës së Tetovës ka vendosur sot të vendosë në moratorium komisionin për emërimin e rrugëve, duke pezulluar përkohësisht aktivitetet e tij për shkak të periudhës zgjedhore që po afrohet.

Vendimi u mor në përputhje me dispozitat ligjore që ndalojnë ndërmarrjen e vendimeve të rëndësishme gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen në pjesën e dytë të muajit tetor. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se ndërprerja e punës së komisionit është e detyrueshme ligjërisht.

“Ndërprerja është mbi bazën e fuqisë së Ligjit. Gjashtë muaj para datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale që priten në pjesën e dytë të tetorit, në bazë të ligjit procesi ndërpritet dhe vazhdon pas përfundimit të zgjedhjeve”, deklaroi Kasami.

Megjithatë, procesi i mbledhjes së propozimeve ka treguar një interes të madh nga ana e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile për të ndryshuar emrat e rrugëve në qytet, duke reflektuar më mirë identitetin dhe strukturën demografike të Tetovës.

Kryetari i Komisionit për Emërtim të Rrugëve, Argjend Veliu, bëri të ditur se janë pranuar gjithsej 1853 propozime për emërtimin e rrugëve përmes thirrjes publike, pyetësorit online dhe debateve publike. Prej tyre, një pjesë janë eliminuar për shkak të përsëritjes.

“Gjithsej kemi pranuar 1853 propozime, që janë komplet të pranuara nga thirrja publike, pyetësori online dhe debatet publike. 717 propozime janë larguar nga ky numër sepse përsëriteshin dhe bie që të kenë mbetur 1136 propozime që janë pranuar komplet,” deklaroi Veliu.

Aktualisht në Tetovë janë të regjistruara 297 rrugë, nga të cilat 216 janë pa numër ose pa emër, ndërsa 80 rrugë të tjera konsiderohen për ndryshim të emrit, për shkak se emërtimet aktuale nuk reflektojnë realitetin kulturor dhe demografik të qytetit.

Procesi i shqyrtimit të propozimeve pritet të rifillojë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, në fund të vitit 2025./Almakpress

 

 



Të ndryshme
Më shumë
Anita dhe Ramush Haradinaj shijojnë jetën e natës, argëtohen në koncertin e Elvana Gjatës28 July 2021
Ahmeti: Kolën e njoha dhe punova me të duke ndarë bindjet për pavarësi, demokraci dhe liri të Kosovës31 August 2021
Filipçe: Nuk ka nevojë për masa shtesë kufizuese 2 April 2021