Aleanca për Shqiptarët, krahu i udhëhequr nga Arben Taravari, ka ngritur alarmin lidhur me përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore, duke e cilësuar situatën aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes si të papranueshme dhe të rrezikshme për kohezionin shoqëror dhe barazinë etnike në vend.
Sipas një reagimi zyrtar të partisë, të cilit i referohet redaksia jonë, nga gjithsej 120 emërime të reja në pozita të nënoficerëve brenda Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm 14 janë shqiptarë, çka përbën një përfaqësim të thellësisht disproporcional krahasuar me përqindjen reale të shqiptarëve në popullatë.
“Një përfaqësim i tillë jo vetëm që nuk pasqyron realitetin demografik të vendit, por përbën një precedent të rrezikshëm drejt përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, përfshirë edhe ato të sigurisë kombëtare”, thuhet në deklaratën e ASH-së.
Partia opozitare e konsideron këtë zhvillim jo si një rastësi administrative, por si vazhdimësi të një politike diskriminuese, që fshihet pas premtimeve për reforma dhe barazi.
“Ajo që po ndodh është një prirje e rrezikshme drejt margjinalizimit të shqiptarëve nga vendimmarrja dhe strukturat shtetërore,” vijon deklarata.
ASH i bën thirrje koalicionit qeverisës VLEN dhe përfaqësuesve institucionalë që të ndalin menjëherë këtë politikë përjashtuese dhe të sigurojnë respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional, siç e përcakton Kushtetuta dhe siç e kërkon realiteti shumëetnik i vendit.
“Shqiptarët nuk janë 10% e popullsisë, siç pasqyrohet në këtë rast dhe në shumë raste të tjera të ngjashme. Ata përbëjnë 29.52% të qytetarëve të këtij shteti, sipas të dhënave zyrtare. Çdo përpjekje për të mohuar këtë realitet është e papranueshme dhe cenon rëndë legjitimitetin e përfaqësimit shtetëror,” thuhet më tej në reagimin e partisë.
Në përfundim, ASH thekson se do të vazhdojë të ngrejë zërin dhe të veprojë në mbrojtje të barazisë, përfaqësimit të drejtë dhe dinjitetit të çdo qytetari shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut./Almakpress