Nga Vendi
5 June 2025
Mexhiti: VLEN së shpejti me qëndrim të unifikuar për modelin zgjedhor – shumica parlamentare pritet të zgjerohet

Koalicioni VLEN është në fazat përfundimtare të harmonizimit të qëndrimit të përbashkët lidhur me modelin e ri zgjedhor, ndërkohë që në Kuvend tashmë janë paraqitur dy iniciativa për reformën e sistemit zgjedhor. Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, duke theksuar se koalicioni do të dalë së shpejti me një qëndrim të unifikuar, pas shqyrtimit të alternativave të ndryshme.

“Janë afruar zgjedhjet, zakonisht kjo kërkon një periudhë më të gjatë të debatit, të jetë një proces më inkluziv, me argumente pro dhe kundër. Në parim të gjitha modelet janë të mira, por duhet t’i shohim detajet”, deklaroi Mexhiti.

Ai sqaroi se brenda VLEN-it ekzistojnë mendime të ndryshme për sa i përket numrit të njësive zgjedhore, pasi disa subjekte preferojnë modelin me tre njësi, të tjerë atë me tetë njësi, ndërsa mbetet e hapur edhe mundësia për modelin me një njësi zgjedhore, por me saktësime të qarta teknike dhe politike.

“VLEN-i ka brenda disa subjekte që në të kaluarën kanë pasur mendime të ndryshme – disa kanë qenë për model me 3 njësi, disa me 8 njësi zgjedhore. Mund të jetë edhe një njësi, por varet cili model i një njësie zgjedhore. Këto ditë do të dalim me qëndrim të unifikuar për të kontribuar në zgjedhjen e modelit më të mirë”, shtoi zëvendëskryeministri.

Zgjerimi i shumicës dhe qëndrueshmëria politike

Mexhiti foli edhe për shumicën parlamentare, duke e cilësuar atë si stabile dhe në përqendrim të plotë drejt realizimit të projekteve dhe zgjidhjes së problemeve qytetare. Ai paralajmëroi se shumica aktuale po zgjerohet me mbështetje të re nga deputetë të Frontit Evropian.

“Sa i përket shumicës, ajo është stabile, e përqendruar në realizimin e programit, projekteve dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Shumica po rritet. Në plan të dytë po punohet që të rritet edhe më shumë me deputetë nga Fronti Evropian,” theksoi Mexhiti.

Përçarja në opozitë dhe mesazhi për BDI-në

Në fund, Mexhiti komentoi edhe mesazhin e fundit të Ziadin Selës drejtuar kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, në lidhje me situatën në Strugë. Ai theksoi se BDI ka përfituar ndër vite nga përçarja e opozitës shqiptare, por sipas tij, integristët kanë harruar një fakt të rëndësishëm.

“BDI në vitet e fundit ka mbijetuar nga përçarja e opozitës, por integristët kanë harruar se ai që përçan, në fund përfundon nga përçarja”, u shpreh Mexhiti.

Koalicioni VLEN, i përbërë nga disa subjekte politike shqiptare, pritet të luajë një rol kyç në debatin për reformën zgjedhore, e cila konsiderohet vendimtare për demokratizimin dhe përfaqësimin më të drejtë në sistemin politik të Maqedonisë së Veriut./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
“Seriozisht po i afrohemi rrogës mesatare prej 500 eurosh”, tha Bytyqi 7 July 2021
Merkel për Ballkanin Perëndimor: Nevojitet pajtim 5 July 2021
Mandaloriani i Star Wars po bëhet me filmin e tij10 January 2024