Sport
7 June 2025
Tifozët Kuqezi paralajmërojnë bojkotin e ndeshjes Shqipëri–Serbi: “Do jemi jashtë stadiumit, jo brenda tij”

Pavarësisht interesimit të jashtëzakonshëm për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, shumë tifozë shqiptarë nuk kanë arritur të sigurojnë bileta për këtë përballje të zjarrtë. Sipas raportimeve, janë regjistruar mbi 200-300 mijë kërkesa për bileta, por kapaciteti i kufizuar i stadiumit ka bërë që një pjesë e madhe e tifozëve të mbeten jashtë.

Grupi i njohur “Tifozët Kuqezi” kanë njoftuar se nuk do të jenë të pranishëm në stadium, por do të organizojnë një “bojkot simbolik” duke u grumbulluar pranë Piramidës, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, për të ndjekur dhe mbështetur kombëtaren nga jashtë. Ky vendim vjen si reagim ndaj mosmarrjes së biletave dhe, sipas tyre, përjashtimit të padrejtë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Ne e duam dhe e mbështesim me zemër Kombëtaren Shqiptare, por nuk mund të pranojmë mënyrën se si Federata po e trajton tifozërinë tonë. Na kanë përjashtuar padrejtësisht për herë të dytë nga një përballje e këtij niveli”, janë shprehur anëtarë të grupit për mediat.

Rasti i parë i përjashtimit, sipas tyre, ka ndodhur në Beograd në vitin 2014, ndërsa tani, në vendin e tyre, ndihen sërish të përjashtuar. Ata pretendojnë se FSHF ka vendosur të mos lejojë praninë e tyre në stadium, për shkak të frikës nga veprime të mundshme të papërshtatshme.

Megjithatë, atmosfera në kryeqytet mbetet tepër elektrizuese. Tifozët kuqezi kanë zbukuruar rrugët e Tiranës me flamuj, pankarta dhe këngë patriotike. Në mungesë të një vendi në tribuna, ata kanë zgjedhur rrugët e qytetit për të treguar dashurinë e tyre të palëkundur për Kombëtaren.

Pavarësisht mospajtimeve me Federatën, mesazhi i tifozëve është i qartë: dashuria për Shqipërinë nuk kufizohet me një biletë. Mirela Haxhia/Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Talibanët: Do t’i gjykojmë ata që e vranë humoristin, duhej ta sillnin në gjykatë30 July 2021
Hasani: Nuk është koha e dorëheqjeve, por e sfidave 9 September 2021
Moti sot në Maqedoninë e Veriut29 July 2021