Nga Vendi
6 October 2025
Filipçe: Mickoski sillet si kryeministër, gjykatës dhe prokuror në të njëjtën kohë

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në tribunën qytetare në Dellçevë kritikoi ashpër pushtetin e OBRM-PDUKM-së për, siç tha, kolapsin e plotë të sistemit gjyqësor dhe zhgënjimin e pritjeve të qytetarëve.

“Qytetarët e pritën me padurim drejtësinë e shumëpremtuar dhe shtetin ligjor të OBRM-PDUKM-së. Por në vend të drejtësisë, pamë drejtësi selektive, skandale me avancime të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për reformat vetëm flitet – asnjë ligj nga agjenda reformuese nuk është miratuar. Sistemi gjyqësor është lënë në mëshirë të vetvetes,” deklaroi Filipçe.
Ai reagoi ashpër edhe ndaj qasjes politike të kryeministrit Hristijan Mickoski, për të cilin tha se po sillet si kryeministër, gjyqtar dhe prokuror në të njëjtën kohë.

“E dëgjoj Mickoskin si del në mitingje dhe flet për drejtësi dhe përgjegjësi. Dhe e dini çfarë është më e trishtueshmja? Të njëjtën gjë e dëgjuam edhe para zgjedhjeve – e njëjta retorikë, të njëjtat premtime. Pas zgjedhjeve lokale, tha se personalisht do të merret me prokurorinë dhe gjyqësorin. Pra, kryeministër, gjyqtar dhe prokuror – të gjitha në një. Ai emëron, shkarkon, vlerëson gjyqtarë dhe prokurorë, dhe në fund vendos nëse rroga e tyre është e merituar apo jo,” tha Filipçe në fjalën e tij në Dellçevë.

Ai shtoi se kjo situatë është vazhdimësi e politikave të OBRM-PDUKM-së, që për vite të tëra kanë abuzuar me gjyqësorin për interesa partiake.



Të ndryshme
Më shumë
Teuta Arifi: “Nuk kam dilema për fitoren tonë”29 September 2021
Pamje të rralla! Si festohej viti i ri në kohën e Enver Hoxhës (FOTO)18 October 2021
Autoritetet e Maqedonisë thonë se po sulmohen nga sulmet kompjuterike, caku Qeveria, KSHZ dhe komunat10 September 2021