Kanë nisur përgatitjet për Festivalin e fundvitit, drejtoresha artistike e Fest 64 dhe Elhaida Dani, e ftuar në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH ka zbuluar detaje të reja për sa i përket këtij edicioni.
Për herë të parë, përveç se në rolin e drejtueses artistike, artisten Elhaida Dani do ta shohim edhe në rolin e prezantueses, pasi shumë shpejt do të nis podkasti më i ri dedikuar Festivalit, ku të gjithë artistët do të intervistohen nga Elhaida për sa i përket këngës me të cilën garojnë në Festival, emocioneve, punës së tyre dhe jo vetëm. Drejtoresha artistike zbuloi gjithashtu se të ftuarit e parë do të jenë grupi Shkodra Elektronike, fituesit e edicionit të 63-të të Festivalit, pas një suksesi të jashtëzakonshëm vitin e kaluar.
Një element tjetër që zbuloi është edhe formula e televotimit që do të ndiqet këtë vit, ku 25% të peshës do ta ketë televotimi me SMS nga të gjitha trevat shqiptare dhe Shqipëria, 25% do të jetë nga aplikacioni më i ri “FIK”, që publiku do të ketë mundësi ta shkarkojë së shpejti, ndërsa 50% të peshës do ta ketë juria, e cila në përbërjen e vet do të ketë poetë, kompozitorë, showgirl etj.
Elhaida tregoi se këtë vit në Festival do të kemi larmi këngësh, nga modernia, roku e deri te folku, kështu që publiku do të shijojë një buqetë të larmishme këngësh. Ashtu sikurse është paralajmëruar nga stafi drejtues i Festivalit, 28 këngët në garë pritet që në muajin nëntor të publikohen në faqen zyrtare të Radio Televizionit Shqiptar në YouTube, kjo për t’i dhënë mundësinë publikut që të njihet me këngët më herët.